Njohim limitet tona, kualifikimi, fantazi

Trajneri i Kombëtares, de Biazi
Trajneri i Kombëtares vlerëson ekipin për mënyrën se si u ballafaqua në dy ndeshjet e fundit miqësore, por ul entuziazmin duke anashkaluar fjalën: kualifikim në Botëror. Në konferencën për shtyp të mbajtur në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit, trajneri theksoi se gjëja pozitive e këtij grupi është fakti që lojtarët nuk kanë zili dhe armiqësi me njëri-tjetrin. Jam i kënaqur me grupin e lojtarëve që kemi krijuar. Një grup shumë i motivuar, ku nuk ekzistojnë zili dhe armiqësi dhe kjo për mendimin tim është diçka pozitive për të ndërtuar diçka. Jam i kënaqur edhe me rezultatin pasi të ndihmon te krijosh më shumë besim në punën që bën. Mendoj që rezultatet nuk vijnë kurrë rastësisht, por janë fryt i punës së skuadrës që është më e kujdesshme dhe që kërkon të gabojë sa më pak si në aspektin teknik, ashtu edhe atë taktik, ka pohuar De Biazi. Më tej, italiani i Kombëtares shqiptare u shpreh se skuadra mund të përshtatet me shumë variante dhe premtoi se edhe ne miqësoren ndaj Moldavisë do të kryejë të tjera eksperimente. Jam i bindur se mund të luajmë në mënyra të ndryshme dhe këto ndeshje më ndihmojnë të mësoj se me çfarë moduli skuadra ndihet më mirë. Skuadrën përfundimtare mund ta shohim më vonë në shtator, kur të nisim rrugën tonë për në kualifikimet e Botërorit. Edhe ndeshja miqësore me Moldavinë do të më shërbejë për të kryer disa testime, në të cilat do vlerësoj disa aspekte në këndvështrimin e gatishmërisë së kësaj skuadre për të ndryshuar fizionomi dhe mënyrë loje gjatë një ndeshjeje. Edhe pas ndeshjes ndaj Iranit them se mund të bëjmë më mirë në aspektin teknik apo të ndërtimit të lojës. Shumë herë humbasim topin në mënyrë shumë të thjeshtë. Për sa i përket momentit kur nuk kemi topin në zotërim skuadra vendoset mirë në fushë, mbulon fushën mirë taktikisht, ashtu siç i kërkova ta bënin, vazhdoi De Biazi. Në fund, tekniku pohoi se fitoret në miqësore nuk duhet të krijojnë ide se kjo skuadër mund të kualifikohet në Botëror. Mendoj që mbi të gjitha kjo skuadër duhet të njohë limitet e veta, pa bërë shumë deklarata dhe pa fantazuar shumë. Duhet të jemi të vetëdijshëm që na pret një grup i vështirë, por kjo nuk do të thotë që nuk do përpiqemi të kualifikohemi. Nëse dikush vendos një objektiv në jetë, duhet ta ndjekë me shumë vendosmëri dhe dëshirë. Pastaj nëse ia del apo jo kjo varet nga shumë faktorë, sepse futbolli është i tillë. Ju e dini që fitorja dhe humbja ndahen nga disa detaje. Nëse do të jemi me fat, të vendosur, nëse vrapojmë më shumë se të tjerët, nëse bëjmë më pak gabime se të tjerët, atëherë përfundimi është logjik, përfundon De Biazi.
Batuta për Barcelonën
De Biazi vë bast se me lojën që bën Shqipëria, as Barcelona nuk i shënon dot shumë gola. Në formë batute, trajneri i Kombëtares, deklaroi: Kemi një skuadër që bën lojë globale, që mbron mirë. Edhe nëse luanim ndaj Barcelonës, do të pësonim shumë pak. Italiani është shumë i kënaqur me aspektin defensiv të skuadrës, sidomos në dy ndeshjet e fundit. De Biazi provoi Mavrajn në qendër të mbrojtjes, por edhe Osmanin, duke ngelur i kënaqur.
Keirosh
Trajneri portugez i Iranit, Karlos Keiroz, ka komplimentuar Shqipërinë për fitoren ndaj skuadrës së tij. Megjithatë, Keirozin nuk e shqetëson kjo humbje. Luajtëm ndaj një skuadre të mirë si Shqipëria, me lojtarë të cilët luajnë në ekip të njohura në Europë. Patëm pesë raste për gol, por shpërdoruam. Shqipëria erdhi dy herë në portën tonë dhe na shënoi. Gjithsesi, humbja nuk ka pse të na shqetësojë,- deklaroi Keiroz për mediat iraniane.
Behrami: Nuk festoj nëse shënoj në Shqipëri
Gjatë një vizite që ka bërë në Kosovë, Valon Behrami ka folur për mediat vendëse duke pohuar se në rast se shënon ndonjë gol, thotë se nuk do ti gëzohej. Zvicra në eliminatoret për Botërorin 2014 në Brazil gjendet në një grup me Kombëtaren e Shqipërisë. Fati deshi që në këto kualifikime të luajmë kundër Shqipërisë. Do të jetë vështirësi e madhe për ne që luajmë me Zvicrën për të luajtur kundër kuqezinjve, por Zvicra na ka dhënë shumë neve si futbollistë dhe duhet të japim maksimumin në ndeshjet kundër Kombëtares shqiptare. Nëse shënoj kundër Shqipërisë, normalisht që do ti respektoja tifozët kuqezi dhe nuk do të gëzohesha. Është ndeshje speciale dhe ska për të ndodhur më në jetë një moment i tillë, ka thënë Behrami.
LEONARD KARAJ