"Basti" i Ndroqit: Edhe femrat shqiptare në ring
"Basti" i Ndroqit: Edhe femrat shqiptare në ring
Ylli Ndroqi është prezantuar si presidenti i ri i Federatës Shqiptare të Boksit Profesionist (FSHBP), duke premtuar se do të punojë për përmirësimin e këtij sporti në vendin tonë. Biznesmeni, i cili është edhe promotori i kampionit të mirënjohur shqiptar, Kreshnik Qato, ka hedhur edhe një ide, që cilësohet si një revolucion për boksin në vendin tonë: angazhimin e femrave në ring, në mënyrë që edhe Shqipëria të ketë boksiere profesioniste, ashtu si ndodh në të gjitha vendet e botës. "Ndihem i privilegjuar që Federata Shqiptare e Boksit Profesionist më zgjodhi në krye të saj. Vlerësoj punën e deritanishme të ministrit Xhaferraj dhe premtimin e tij për ambiente stërvitore, në mënyrë që boksierët shqiptarë të stërviten dhe përgatiten në kushte optimale dhe kjo të na çojë edhe te rezultatet e kërkuara", tha Ndroqi. "Me këtë rast, ftoj të rinjtë që kanë pasion këtë sport, që të stërviten në këto ambiente me kushte bashkëkohore. Kjo arenë do të nxisë edhe pjesëmarrjen e femrave në boks. I ftoj të rejat shqiptare që e duan këtë sport, që të thyejnë tabutë dhe bëhen të parat që do të ngjiten në ringun shqiptar për të luftuar njëlloj si djemtë".
e. k.