E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndalet sërish Dinamo, ka krizë?!

Pas një starti mbresëlënës, fillon edhe tatëpjetë e Dinamos. Blutë konfirmojnë një minikrizë në këtë javë të fundit të pjesës të parë të sezonit, pasi, pas humbjes shkatërruese 4-0 ndaj Shkumbinit në Peqin një javë më parë, këtë mesjavë ka ardhur edhe barazimi i papritur, nga një penallti e diskutueshme e dhënë nga gjyqtari Lorenc Jemini në minutat shtesë. Ka qenë pikërisht ky gol, ai që e ka shpëtuar Dinamon nga humbja e dytë radhazi. Gjatë 90 minutave, kryesuesit e kampionatit janë shfaqur shumë të ngathët, konfuzë në aksionet e tyre, me pasiguri të mëdha në prapavijë dhe me shumë pak rrezikshmëri në fazën ofensive. Nga ana tjetër, Laçi është paraqitur i zhdërvjellët, me kombinacione të bukura dhe të sakta mes lojtarëve, duke dalë në kundërsulm mjaft rrezikshëm. E ka gjetur golin e avantazhit me sulmuesin e tij kryesor, Arlind Nora, në minutën e 12-të. Gjirokastriti përfituar mirë ndaj mbrojtjes së bluve, duke shënuar një gol të zgjuar. Kur pritej që Dinamo të reagonte, ka ndodhur e kundërta. Ishte Laçi që vijon me lojën e tij, duke kundërsulmuar dhe vënë disa herë të tjera në rrezik portën e kryesuesve të kampionatit. Madje, vetëm mungesa e një njeriu-gol u ka munguar miqve, për ta thelluar rezultatin në 2-0. Dinamo vijon të mos dalë në lojën e saj, repartet janë të shkëputura nga njëra-tjetra, ndërsa mbrojtja çahet pa problem nga sulmuesit kurbinas. Në radhët e Laçit spikat organizatori Emiljano Veliaj, ndërkohë që Nora e vë përherë në alarm prapavijën dinamovite. Trajneri Muça kërkon të reagojë dhe bën disa ndërrime, duke përforcuar manovrën sulmuese, por nuk është dita e Dinamos. Laçit i shkon për shtat loja deri në minutën e 92-të, kur gjyqtari kryesor akordon një penallti për Dinamon. Miqtë kontestojnë fuqishëm, madje presidenti Laska ka shfryrë fort ndaj dy zyrtarëve të FSHF-së, të pranishëm në këtë ndeshje, Ilir Shulkut dhe Hito Hitajt, duke qëlluar me shqelma stolin ku qëndronin ata. Kujtojmë se më përpara, kryesori Jemini kishte akorduar një tjetër penallti, por ishte anësori Qirici, ai që e anuloi atë, për pozicion jashtë loje. Përfundimisht, ndeshja Dinamo-Laçi mbyllet në barazim 1-1. Dinamo zhgënjen, ndërsa Laçi demonstron se është një skuadër që meriton më shumë se renditja aktuale. Në këtë ndeshje ndoshta 3-pikëshi u takonte laçianëve. Nëse Dinamo gabon, rivalët këtë javë nuk falin. Besa, ndjekësja më e afërt e saj, ka fituar minimalisht 1-0 ndaj Gramozit. Ka qenë korçari Dhëmbi, i cili ka vulosur fatin e kësaj ndeshjeje në minutën e 14-të. Kolonjarët kanë bërë çmos për të barazuar, por këmbëngulja e vendasve dhe terreni i rënduar në stadiumin e Kavajës nuk i ka lënë skuadrat të bëjnë më shumë. Teuta e drejtuar nga Mirel Josa ka mundur 1-0 Shkumbinin. Goli i Hysenit, shënuar në limitin e pjesës së parë, ka mbetur i pandryshuar deri në fund. Ekuilibër në lojë, në sulme e kundërsulme nga të dyja palët, por që fatin e ndeshjes e ka përcaktuar ai gol i vetëm, që mban autorësinë e Hysenit. Tri pikë me shumë vlera për "djemtë e detit", që pozicionohen në mesin e renditjes, duke e mbyllur vitin 2009 mjaft komodë. Ndërkohë që të mërkurën u luajtën tri sfidat e tjera, ku e vetmja që mundi të përfitonte, ishte Tirana, e cila tashmë është rehabilituar në vendin e tretë, pas fitores së sotme të Besës. Një barazim 2-2 i Flamurtarit me Vllazninë i hëngri kokën trajnerit të shkodranëve Roland Luçi, ndërsa nuk shkoi dot më tej se barazimi Apolonia në ndeshjen në shtëpi kundër Skënderbeut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›