E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mes nudove të Andrea Manos

Lakuriqësia e trupit njerëzor ishte një kënaqësi që iu mohua shumë artistëve gjatë diktaturës. U quajt një tabu, u ndalua ekspozimi i çdo forme të nudos e madje u kthye në një kërcënim të hapur ndaj atyre që guxonin. Andrea Mano ishte një nga ata artistë që iu desh të bënte kompromis me veten. Ose të paktën kompromis me hapësirën publike. I formuar në tri akademi të huaja, në Romë, Zagreb dhe Leningrad, Mano e njohu mirë trupin njerëzor dhe estetikën e shprehjes artistike. Pas kthimit në Tiranë, në vitin 1954 iu desh ta praktikonte nudon vetëm në atelienë ku mësonte studentët e Institutit të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve). Në sheshet publike u prezantua me skulptura që i kërkoheshin (monumenti i Skënderbeut në sheshin kryesor është vepër e tij), ndërsa në studio krijonte bocete nudosh, një gjysmë-liri shprehje e edukimit të tij. Si për shumë artistë të tjerë, letrat u hapën pas viteve ‘90. "Posteva" qe e para dhe e vetmja ekspozitë e derimëtanishme, në të cilën një pjesë e nudove u bënë të njohura për një publik më të gjerë. Të tjera, të nxjerra nga arkivi familjar, u prezantuan vetëm së fundmi në një monografi kushtuar skulptorit nga ish-studentja e tij, studiuesja e artit, Suzana Varvarica Kuka. Një monografi ku kapitulli i nudove shkruhet sa nga historia e formimit të Manos, sa nga përjetimi personal si studentë në atelienë e Akademisë së Arteve, sa nga pozitat e sotme e një studiueseje arti. "Sot, fakti i nudove të tij të realizuara në atelienë e shkollës së Tiranës, na mëson t`i lexojmë si nudot e fundit të Andrea Manos, prej të cilave ai nuk arriti të shkëputet asnjëherë, që nga fillimet e edukimit të tij artistik", shkruan Kuka. Nudot e tij "flasin" ndryshe. Nisur nga koha kur i krijoi, nga akademia ku studioi dhe nga rrethanat dytësore që i kushtëzonin krijimtarinë. Mendimet e tij nuk ka ngurruar t‘i hedhë edhe në një ditar, të cilin Kuka e ka shfletuar gjatë viteve që punonte për këtë monografi. Mes rreshtave, aty ku mendimet shpreheshin me fjalë, Mano la një pjesë të përjetimeve të tij. "Dëshmitë e shkruara prej skulptorit Andrea Mano, të mbajtura me shumë kujdes, vit pas viti, na tregojnë qartë vijueshmërinë e studimeve të tij në varësi të ndryshimit të politikave të ndodhura ndërmjet vendit të tij me vendet e tjera. Profesor Andrea, një prej profesorëve të mi të skulpturës akademike, atelienë që drejtonte e kishte dhe atelienë e krijimtarisë së nudove të tij. Ato janë 14 nudo me përmasa të vogla të tipit bocet, të cilat u ekspozuan për herë të parë e të vetme në ekspozitën "Posteva". Ai punonte gjatë orëve tona studimore, ekzekutonte dhe interpretonte modelin e vendosur në atelie me të njëjtën kohë rrjedhëse të orës skulpturore që drejtonte. Mendoj se Shkolla e Tiranës ishte si një vend ku ai vazhdoi "edukimin" e tij, i cili ishte kthyer si një zakon në skulpturimin e nudove. Gjithashtu kam mendimin se këto nudo janë një shprehi krejt e ndryshme nga nudot studimore të kryera në akademitë europiane. Ato janë pik së pari si një engledisje e nudos-bocet në metodën e realizmit socialist. Dhe së dyti janë shprehi figurative të patrajtuara deri në fundin e tyre, duke mbetur si modele të krijuara nga një dorë e edukuar dhe e zhdërvjelltë", shprehet Kuka. Kjo monografi, në radhën e atyre të realizuara për artistë shqiptarë vetëm pas ‘90-ës tenton ta shohë në kompleks figurën e skulptorit. Ky cikël nudosh mund të jetë një qasje ndaj asaj që artistët aspironin brenda mureve të mbyllura. Mano i bashkohet emrave që adhurimin ndaj nudos nuk mundën ta shprehin kurrë hapur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›