Edhe Memushi, kandidaturë për të marrë stolin e Vllaznisë
Shkarkimi i radhës për sa u përket trajnerëve ka ardhur pikërisht në javën e 17-të të Superiores. Barazimi 2-2 me Flamurtarin në "Loro Borici", nuk është përtypur dot nga drejtuesit e Vllaznisë, të cilët edhe pse në prag të "Krishtlindjeve", nuk kanë ngurruar të marrin një vendim të prerë: shkarkimin e trajnerit Roland Luçi. Motivacioni ishte "rezultate të dobëta". Luçi kishte zënë vendin e Hasan Likës, së shkarkuar pas javës së 5-të, po për të njëjtin motivacion. Por pas 12 javësh jo të suksesshme, i erdhi radha edhe vetë ish-futbollistit shkodran, i cili në krye të stolit kuqeblu, nuk mundi të ndihmonte skuadrën të dilte nga kriza, që e ka zaptuar që nga fillimi i sezonit. Menjëherë pas largimit të Luçit, kanë filluar të përfliten disa emra për stolin e Vllaznisë. Një ndër më të lakuarit është ai i Edi Martinit, ish-futbollistit dhe më pas ish-trajnerit të kombëtares së minifutbollit, por edhe të Laçit, të cilin e ngjiti në Kategorinë Superiore. Ndërkohë që një emër i ri është ai i Eqerem Memushit, ish-trajnerit të Flamurtarit. Në ambientet e klubit shkodran qarkullojnë zëra se ka pasur kontakte me ish-teknikun, që fitoi Kupën dhe Superkupën me Flamurtarin, por që dështoi keq në Europa League, pasi u mund 8-1 në ndeshjen e kthimit në Irlandë ndaj Madhëruellit.
A. M