Bastisja e Ministrisë së Transportit, vetëm fillimi
Kreu i misionit të EULEX-it, gjenerali Iv de Kermabo, tha dje në paraqitjen e tij para Parlamentit Europian, se hetimi i kryer mbi Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit në Kosovë është vetëm fillimi. “EULEX-i është i vendosur që t’i hetojë rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivel të lartë, pa marrë parasysh se për kë është fjala dhe pa lejuar ndërhyrje politike”, tha Kermabo, duke u zotuar se këto hetime do të shkojnë deri në fund. Ai lavdëroi përkushtimin e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të qenë në krye të luftës kundër korrupsionit, por, “kryeministri Thaçi pret mbështetje edhe nga Brukseli, pasi ai ndjen se kohëra të vështira janë përpara”, tha ai. Ndërsa Kermabo u ankua në Bruksel edhe për faktin se shtetet anëtare nuk po kontribuojnë sa duhet me dërgimin e ekspertëve të tyre, sidomos sa u përket prokurorëve dhe gjykatësve, por tha se misioni i EULEX-it, sidoqoftë, është mjaft funksional dhe se po funksionon në tërë territorin e Kosovës. Kreu i EULEX-it theksoi se sfida të mëdha janë edhe në veri të Kosovës, mirëpo edhe atje punët janë duke u përmirësuar dhe rendi e ligji janë duke u vendosur gradualisht. Kermabo nënvizoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është gjithsesi detyrë parimore e autoriteteve të Kosovës, mirëpo edhe EULEX-i ka fuqi ekzekutive në këtë drejtim, prandaj kjo luftë kundër kësaj dukurie duhet shikuar si një partneritet i kosovarëve dhe EULEX-it. Deputetja Ulrike Lunacek, si raportuese për Kosovën në Parlamentin Europian, theksoi se është mirë që EULEX-i ka filluar më në fund të tregojë rezultate në punën e tij dhe shprehu bindjen se kjo do të vazhdojë deri në fund dhe që EULEX-i, siç u shpreh ajo, nuk do të lejojë ndërhyrje politike nga askush. Këto hetime duhet të shkojnë deri në fund, sepse populli pret shumë nga EULEX-i dhe, siç tha ajo, kjo u dëshmua dhe nga qytetarët, kur ajo kishte vizituar Kosovën. Kudo që shkoja, shihja në Kosovë një mbështetje për punën e EULEX-it, sepse edhe kosovarët duan që shoqëria e tyre të funksionojë sipas normave europiane, tha Lunacek.