Divorci në gjykatë, seanca e fundit Inva Mula-Pirro Çako
TIRANE – Procesi i divorcit mes sopranos së famshme Inva Mula dhe kantautorit Pirro çako është futur tashmë në fazën përfundimtare. Në seancën e djeshme në Gjykatën e Tiranës u paraqit një raport psikologjik në lidhje me ushtrimin e përbashkët të përgjegjësisë prindërore ndaj fëmijës së lindur nga martesa e tyre. Ndërsa në seancën e radhës pritet që gjykata të shprehë verdiktin përfundimtar. Burime pranë seancës sqaruan se raporti ishte përgatitur nga një psikologe e zgjedhur më parë nga gjykata dhe është përgatitur për një periudhë tremujore. Për shkak të moshës së mitur të djalit nuk bëhen të ditura detaje të tij. Pasi është njohur me përmbajtjen e raportit, kryesuesja e çështjes, gjyqtarja Elona Gjoka, ka vendosur që ta shtyjë seancën që “psikologja të plotësojë raportin psikologjik në lidhje me ushtrimin e përbashkët të përgjegjësisë prindërore, t’u japë kohë palëve të njihen me vlerësimin psikologjik dhe t’i japë kohë palës së paditur për të paraqitur një projekt në lidhje me ushtrimin e përgjegjësisë prindërore nga të dy prindërit”. Seanca e radhës u caktua në datë 24 qershor, kur ka gjasa të jepet edhe vendimi përfundimtar për ndarjen e çiftit të famshëm. Kujdestaria prindërore e djalit pas ndarjes së çiftit i kushtoi një kohë të konsiderueshme procesit të këtij divorci në Gjykatën e Tiranës. Kjo, pasi prindërit nuk mundën të bien në kompromis se me cilin prej të dyve do të jetonte i mituri pas përfundimit të procedurave të divorcit. Në një nga seancat e fundit, i mituri shprehu vullnetin e tij në gjykatë se pas ndarjes donte të qëndronte me të ëmën, sopranon Mula, në Francë. Shqyrtimi gjyqësor i divorcit çako-Mula ka nisur në gjykatën e kryeqytetit në ditët e para të prillit të vitit 2009. Procedurat zyrtare të divorcit filluan në një kohë që çifti jetonte i ndarë prej disa kohësh. ar.ba