Rruga e Hanit të Hotit ngec te certifikatat e pronësisë
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
“Banorët e Malësisë së Madhe duhet të pajisen me certifikata zyrtare të pronësisë, që t’i hapet udhë ndërtimit të superstradës Shkodër-Hani i Hotit”. Vendorët në Shkodër i kërkuan dje prefektit të qarkut, Mexhid Cungu, të nxjerrë një urdhër që të detyrojë zyrat e regjistrimit të pronave të bëjnë regjistrimin e tokave të banorëve të kësaj zone. Vështirësitë në ndërtimin e këtij aksi detyruan nënprefektin e Malësisë së Madhe, Sytki Ndrecaj, që të zhvillojë një tryezë pune me drejtuesit e 5 njësive vendore të rrethit Malësi e Madhe, ku kalon ai, të firmave nënkontraktore të ndërtimit si dhe të policisë. çështja e pronësisë dhe mungesa e dokumentacionit nga rreth 75 për qind e pronarëve që preken nga ndërtimi i këtij segmenti rrugor ishte edhe tematika kryesore në diskutimet të të pranishmëve në këtë tryezë. Ndarjet e tokave në këto zona janë bërë sipas marrëveshjeve mes banorëve, jo në rrugë zyrtare. Pjesëmarrësit në këtë takim i kërkuan prefektit Cungu të reagojë në rrugë institucionale, në mënyrë që zyra e regjistrimit të pronave t’iu njohë pronësinë banorëve të rrethit të Malësisë së Madhe, si dhe njëkohësisht të sensibilizohet Qeveria për një fakt të tillë. Kreu i Komunës së Kastratit, Gjovalin Veshti, ishte edhe më konkret në diskutimin e tij. Veshti kërkoi që Qeveria të nxjerrë një udhëzim të veçantë për njohjen dhe pajisjen me dokument pronësie të banorëve të rrethit Malësi e Madhe, që preken nga ndërtimi i superstradës, veprim ky që është kryer edhe më parë nga Qeveria, në rastin e rrugës Durrës-Kukës. “Nuk po kërkojmë më shumë sesa ka bërë Qeveria në rastin e rrugës së Kombit”, u shpreh Veshti. Sipas tij, banorët e këtyre zonave nuk janë kundër ndërtimit të rrugës, por ata duan të kenë në dorë një dokument zyrtar, që nesër apo pasnesër kur të sigurohen lekët, të kenë mundësinë e kompensimit nga Qeveria në bazë të çmimit që ajo ka përcaktuar për shpronësimin e tokave të tyre. “Të mos ndodhë si në rastin e ndërtimit të linjës së Interkonjuksionit Tiranë –Podgoricë të tensionit të lartë 400 KV, ku edhe pse ne drejtuesit vendorë u premtuam banorëve se do të shpronësohen, edhe pse paratë janë të depozituara dhe ndodhen të ngrira në banka, ata nuk kanë mundësi t’i tërheqin ato, pasi nuk kanë asnjë dokument zyrtar pronësie”, vijoi më tej kreu i komunës së Kastratit. Firmat nënkontraktore, që kanë marrë përsipër ndërtimin e këtij aksi të rëndësishëm rrugor, pasi kanë punuar në ato zona ku nuk ka pasur probleme pronësie apo dokumentacioni, tashmë e kanë të pamundur vazhdimin e punës, pa u zgjidhur problemi i pajisjes me dokumentacionet përkatëse të të gjithë pronarëve të truallit, ku kalon superstrada. Nga 1200 pronarë që kanë deklaruar se preken nga ndërtimi i këtij aksi, vetëm rreth 300 prej tyre kanë fituar të drejtën që të përfitojnë kompensim, në bazë të një vendimi të pak kohëve më parë të Qeverisë.