Tranvestiti: U vetëplagosa që të marr vizë si Klodian Çela
Etleva Delia
Transvestiti Fatjon Hoxha, i njohur me emrin “Anxhela”, i cili tri ditë më parë denoncoi në polici se e kishin plagosur me thikë në qendër të Tiranës, dyshohet ta ketë sajuar ngjarjen. Burime nga policia e Tiranës thanë se kanë marrë dijeni mbi disa fakte që tregojnë se tranvestiti ka tentuar ta kthejë këtë ngjarje në precedent për të përfituar një vizë strehimi jashtë Shqipërisë, me argumentin se jeta e tij këtu ishte në rrezik. Ky është përfundimi në të cilin ka dalë grupi hetimor i policisë, pasi ka rimarrë në pyetje homoseksualin, për të sqaruar përfundimisht dyshimet për një simulim të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e tri ditëve më parë. Gjatë ballafaqimit me provat e policisë, “Anxhela” është dorëzuar dhe ka treguar të vërtetën. Policia tha se “vetëplagosjen”, homoseksuali e ka justifikuar me faktin se ndjehej i diskriminuar nga shoqëria. Madje shpresonte se me këtë veprim do gjente mbështetje nga Ambasada Amerikane, ashtu siç, sipas tij, gjeti edhe Klodi i “Big Brother”. “Ndjehem e diskriminuar dhe mendova se me këtë ngjarje edhe mua do më jepej një mundësi nga amerikanët, që të më jepnin një vizë për në Amerikë, ashtu si Klodit të ‘Big Brother’”, mësohet të jetë shprehur në polici transvestiti Fatjon Hoxha. Ndonëse nuk ka asnjë konfirmim se Klodian çela ka përfituar vizë, ashtu siç pretendon “Axhela”, mbështetja që ai pati nga Ambasada Amerikane gjatë kohës që ishte pjesë e “Big Brother”, duket se nuk ka kaluar pa rënë në sy të anëtarëve të këtij komuniteti. Sipas policisë, një mbështetje të tillë ka tentuar edhe “Anxhela”, me vetëplagosjen e kryer 3 ditë më parë, pranë Parkut Rinia në Tiranë.
SIMULIMI
Dëshmitë kontradiktore që “Anxhela” ka dhënë nga Spitali Ushtarak, mbrëmjen kur e kishin “plagosur”, por edhe deklarimet e miqve të saj të komunitetit homoseksual, janë bërë shkak për dyshimet e para të policisë. Oficerët e Krimeve Kundër Jetës dyshuan menjëherë se transvestiti mund ta kishte sajuar ngjarjen, për shkak të thënieve kontradiktore në lidhje me incidentin, por edhe pas raportit të mjekëve. Gjatë mjekimit të transvestitit, mjekët kanë konstatuar se “Anxhela” nuk është plagosur me thikë siç pretendohej, por vendi që dukej si e çarë me thikë, ishte një plagë e vjetër që kishte prej kohësh në pjesën anësore të kurrizit, pranë brinjëve. Pasi ka marrë këtë informacion, policia ka ballafaquar transvestitin me këtë fakt gjatë marrjes në pyetje. Pas ballafaqimit me faktet e policisë, “Anxhela” ka pranuar se ishte vetëplagosur, pasi kishte dëmtuar plagën që kishte prej kohësh në trup. Veprimin e kryer “Anxhela” e justifikoi në polici me faktin se ndjehej e diskriminuar dhe duke sajuar një ngjarje të tillë, mund të përfitonte vizë apo strehim jashtë vendit. Në fund, policia tha se ka hapur një dosje penale për “dëshmi të rreme” dhe “kallëzim të rremë” ndaj transvestitit.