E Diel, 1 Nëntor 2026

Belgjikë, emigranti vret gjykatësen e asistenten në sallë



Një emigrant shqiptar është në kërkim nga policia belge, pasi ka qëlluar një gjykatëse në sallën e gjyqit dhe ka vrarë me sëpatë, duke e qëlluar disa herë, asistenten e saj. Kështu është shprehur një dëshmitar që ishte në sallën e gjyqit për “Dajly Mail”. Një zëdhënës i Policisë së Brukselit tha se janë në kërkim të një shqiptari, i cili konsiderohet i armatosur dhe i rrezikshëm. Ai ishte i pakënaqur me vendimin që ka marrë gjykata mbi një çështje strehimi, që kishte lidhje me të. Gjykatësja dhe asistentja e saj ligjore ishin duke drejtuar një çështje civile në sallën e Pallatit të Drejtësisë në kryeqytetin belg. Burri i armatosur ka hyrë i vetëm në ndërtesë, në Pallatin kryesor të Drejtësisë në Bruksel, rreth orës 11:15. Ai nuk ishte i përfshirë në seancën që ajo po drejtonte, por thuhet se ka qenë i zemëruar për një vendim që ajo ka marrë disa ditë më parë. Sipas agjencive belge të lajmeve, i dyshuari si shqiptar kishte qëndruar në heshtje në fund të sallës deri sa gjyqtarja kishte mbaruar seancën. Ndërsa u largua, i dyshuari ndiqej nga një punonjës tjetër në gjykatë. Gjykatësja e qëlluar vendoste mbi rastet martesore dhe pronësore, por edhe me birësimet dhe angazhimin e njerëzve në institucione psikiatrike. Ishte raportuar se së shpejti ajo do të dilte në pension bashkë me asistenten e saj. Mediat belge e identifikuan gjykatësen e vdekur si Isabelle Brandon dhe asistenten e saj si, Andre Bellemans. Policia është vënë në kërkim të autorit, i cili raportohet të jetë plagosur pasi u largua nga skena e krimit në këmbë. Zyrtarët thanë se sulmuesi kishte marrë pjesë në seancën e mëngjesit, por nuk dhanë detaje të qarta. Gjykata kryesore e Brukselit është përfolur gjithmonë për masa të ulëta sigurie dhe shpesh herë është bërë objekt kritikash për këtë, pasi shumë të burgosur kanë mundur të arratisen prej saj gjatë seancave gjyqësore. “E pamendueshmja ka ndodhur. Ne e dimë se ka dhunë dhe kjo ndodh shpesh në Gjykatat e Krimeve të Rënda, por kjo ishte salla e çështjeve civile”, tha një avokat.
Policia ka rrethuar rrugët dhe ka paralajmëruar banorët dhe turistët të strehoheshin në vende të mbyllura. Ministri i Drejtësisë, Stefan De Klerk, tha se kjo ishte hera e parë në historinë e gjykatave belge, që një gjykatës të vritet në mes të një seance. Ai tha se masat e sigurisë do të forcohen. Avokatët dhe gjykatësit kanë mbajtur një minutë heshtje për viktimat përpara Pallatit të Drejtësisë. Një avokat, i cili punon në këtë gjykatë, tha për AP se “Ne kemi qenë dëshmitarë të rritjes së dhunës dhe tensionit në Pallatin e Drejtësisë për vite të tëra. Incidente kanë ndodhur edhe më parë dhe tani kanë arritur në një nivel kritik”. Raportet e mediave thonë se i armatosuri kishte probleme mendore, por zyrtarët nuk komentojnë mbi identitetin e tij ose motivet e sakta të sulmit. Kur u publikua lajmi mbi e vrasjet, Ministri i Brendshëm belg, Anemie Turtelboom ndërpreu një takim me homologët e Bashkimit Europian në Luksemburg dhe u drejtua në vendin e ngjarjes për bisedime me De Klerk dhe Kryeministrin Yves Leterme. Incidenti është i fundit në një varg dështimesh të sigurisë që kanë goditur sistemin e drejtësisë belge gjatë vitit të kaluar. Në korrik, tre të dënuar organizuan një shpërthim në burg me anë të një bashkëpunëtori dhe u larguan me një helikopter. Të njëjtin muaj, gjashtë të tjerë u arratisën nga burgu pasi vodhën një shkallë nga një vend ndërtimi brenda kampit. Dhe në gusht, dy burra të armatosur hynë në Pallatin e Drejtësisë në fjalë dhe rrëmbyen tre të rinj me çështje penale nga duart e rojave të tyre, ndërsa seanca për ta do të fillonte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›