E Diel, 1 Nëntor 2026

Drejt Shërbimit Parësor, por duke e rimodeluar atë...

Shefqet DELIALLISI

Sfidë e rëndësishme e sistemit shëndetësor është orientimi i tij drejt shërbimit parësor, por dhe ri-modelimi i tij. Evidencat botërore tregojnë se shërbimi i kujdesit shëndetësor i orientuar nga shërbimi parësor, siguron shëndet më të mirë, është më i barabartë, me kosto më të ulët. Ndërhyrjet e kushtueshme, jo gjithmonë të nevojshme, të mjekëve specialistë, janë një shkak i “padukshëm” i rritjes së kostos së kujdesit shëndetësor. Dhe, mjekët specialistë shpesh bëjnë punën e shërbimit parësor, departamentet e urgjencave shpesh mbushen me pacientë që duhet të trajtohen në shërbimin parësor. Nga ana tjetër, ngarkesa e shërbimit të kujdesit parësor po rritet në mënyrë eksponenciale. Mjekët e këtij shërbimi duhet të kujdesen kryesisht për pacientë me sëmundje kronike, por edhe të kurojnë sëmundjet akute, të merren me depistimin dhe parandalim. Sikur kjo të mos mjaftonte, një mal me shkresa duhet të plotësojnë çdo ditë. Sipas evidencave të vendeve të zhvilluara, që mjekët e kujdesit parësor të kryejnë si duhet punën e tyre, duhet të punojnë 18 orë në ditë!!! Kjo bën që të bjerë cilësia, që të zvogëlohet koha e kontaktit mjek-pacient, që shpesh pacientët të largohen nga mjeku pa kuptuar se çfarë i është thënë. Pra, të pakënaqur janë dhe mjekët dhe pacientët, prandaj dhe sot kudo në botë flitet për ri-dizenjim, ri-organizim, ri-vitalizim, apo ri-modelim, të shërbimit parësor.
Dy modele...
Sëmundjet që po dominojnë skenën janë ato kronike. Ka dy modele për menaxhimin e tyre. Modelit i parë, i fragmentuar, që e siguron kujdesin shëndetësor nëpërmjet mjekëve specialistë, që në qendër ka sëmundjen, dhe jo njeriun e sëmurë. Sipas këtij modeli, një person me disa sëmundje njëkohësisht: diabet, hypertension dhe sëmundje të zemrës, mund të ketë nevojë për mjekun e familjes, të diabetit dhe zemrës. Duke kaluar nga njëri te tjetri, jo vetëm që i rritet fatura e shpenzimeve, por dhe kosto e sistemit shëndetësor. Kërkohet kohë dhe mundim. Ekzaminime të përsëritura në mënyrë të panevojshme. Përplasje ndërmjet medikamenteve të dhëna nga secili mjek. Sipas Nash ky model “e ballkanizon sëmundjen…i pason njerëzit nga një specialist në tjetrin, dhe secili specialist merr përgjegjësi vetëm për ‘fetën’ tij”.
Modeli i dytë, që konsiderohet më i mirë, në qendër ka personin e sëmurë, dhe jo sëmundjen. Pacientit si një i tërë, jo pjesëve të veçanta të tij. E zhvendos qendrën nga specialisti te shërbimi parësor, te mjeku i familjes, që luan rol koordinator dhe integrator.
Kurimi, kujdesi, dhe puna në ekip
Ndërsa sëmundjet akute kanë nevojë për kurim, sëmundjet kronike kanë më shumë nevojë për kujdes. Kujdesi parësor i sotëm është i modeluar për kurimin e sëmundjeve akute, për një kontakt të shkurtër mjek-pacient. Jo për trajtimin e sëmundjeve kronike, të cilat kërkojnë kryesisht kujdes, bashkëveprim afat- gjatë mjek - pacient, vlerësim sistematik, dhe vetë-menaxhim të sëmundjes nga pacienti. Kujdesi, ndryshe nga kurimi, mund të sigurohet edhe nga infermierët. Krijimi i një modeli të ri, që punon në ekip, në të cilin infermierët luajnë një rol cilësisht të ri, përmirëson cilësinë e kujdesit, ul koston dhe super-ngarkesën e mjekëve. Garfield, një nga pionerët e Planit Shëndetso Kaiser, ka sugjeruar organizimin e shërbimit parësor me katër qendra aktiviteti. Një qendër ku njerëzit e shëndetshëm të kryejnë periodikisht ekzaminime (depistime); një qendër për mbrojtjen e shëndetit (imunizim dhe kujdesje të tjera për njerëz të shëndetshëm); një qendër për të sëmurët kronikë; dhe një qendër për të sëmurët akutë. Vetëm në qendrën e fundit pacientët kontaktojnë direkt me mjekun. Në të tjerat, kontakti është me profesionistë, jo mjekë. Mjeku ndihmon në hartimin, monitorimin e protokolleve diagnostike e mjekuese, dhe është i gatshëm për konsulta. Ky organizim lehtëson marrjen e kujdesit në kohë për të sëmurët akutë, por edhe për ata që nuk janë të tillë.
Informacioni elektronik
Aplikimi i teknologjisë moderne elektronike të informacionit në shërbimin shëndetësor është bërë kërkesë e kohës, mbasi lehtëson regjistrimin, depozitimin dhe vënien në dispozicion në çdo kohë, të gjithë të dhënave mjekësore. Eliminon dublikimet, konfliktet ndërmjet shërbimeve, siguron koordinimin dhe integrimin e kujdesit shëndetësor dhe një vlerësim të plotë, në kohë të shkurtër. Informacioni i regjistruar manualisht është pothuajse i papërdorshëm për sëmundjet kronike, mbasi mos-regjistrimi i të gjithë eksperiencave, që më pas të përdoren si një arkivë dixhitale, humbet historikun e ndërhyrjeve mjekësore.
Një përvojë...
Britania i kushton një rëndësi të veçantë shërbimit parësor. Nëpërmjet tij, promovon cilësi të lartë, kosto-efektivitet, kujdes të barabartë, punë në ekip. Infermierët, merren me kujdesin parandalues, pacientët me një apo dy sëmundje kronike, operojnë me grupe pacientësh, fokusohet tek edukimi, stili i jetës, ndjekja e të dhënave klinike, trajtimi, sigurisht nën supervisionin e mjekut. Pacientët me shumë diagnoza, polifarmaci, përdorim të madh të kujdesit dhe kosto të lartë, janë objekt i mjekëve, ashtu si edhe të gjithë ata me sëmundje akute që kanë nevojë për kurim. Ekipi mjekësor përdor rekorde elektronike, në sistemin kompjuterik të tyre, laboratorët shkarkojnë direkt rezultatet e ekzaminimeve. Aplikohet menaxhimi në distancë i sëmundjeve kronike nëpërmjet telefonit, apo e-mail-it. Kërkohet ndërhyrja e shërbimeve të specializuar vetëm kur nevojiten teknologji speciale, të pamundura në ambientet e shërbimit parësor. Madje shpesh, edhe për dilemat që lindin, mjekët e shërbimit parësor këshillohen vetë me specialistin, duke minimizuar kontaktin direkt pacienti-specialisti.
Shkollimi dhe specializimi
Në kohën kur kërkohet nën-përdorimi i shërbimit spitalor dhe mbi-përdorimi i atij parësor, duhen më shumë mjekë dhe infermierë të përgatitur për shërbimin parësor, por dhe ndryshim i prirjeve, si në edukimit bazë, ashtu dhe në specializim.
çfarë ndodh në të vërtetë ? Sipas Knowles “Sot spitalet universitare pothuaj ekskluzivisht funksionojnë si ‘kështjella’ të mjekësisë kurative akute...... Studentët janë në kontakt kryesisht me pacientët e shtruar në spital, përgjithësisht në gjendje të rëndë, në pjesën dërmuese me probleme akute. Programi i trajnimit, nuk i jep një vizion të ekuilibruar për kujdesin shëndetësor në përgjithësi. Sipas këtij programi, vendi më i rëndësishëm ku praktikohet mjekësia është spitali, që konsiderohet ‘servis për riparimin e shëndetit’. Transmetohet një nënvleftësim për shërbimin parësor, pacientët ambulatorë, ata me sëmundje minore. Ushqehen shprehi negative për trajtimin e sëmundjet kronike. Jashtë vëmendjes së duhur lihet parandalimi, shëndeti në komunitet, apo shëndeti publik.... Specialistët e mjekësisë që merren me menaxhimin e sëmundjeve kronike nuk preferohen, mbasi modeli dominues vazhdon të jetë i orientuar te sëmundja, dhe jo te pacienti, ka si bazë spitalin, që nënkupton kurimin, dhe jo kujdesin. Kjo mospërputhje krijon mjekë të diziluzionuar dhe pacientë të shërbyer keq”.
Në vend të mbylljes...
çfarë ndodh tek ne? Shërbimi parësor është në reformim e sipër, më tepër në drejtim të financimit, por jo vetëm. Aspekti financiar përbën një pjesë të problemit, pra dhe një pjesë të zgjidhjes së tij. Në kushtet e reja, kërkohet një strategji për kthimin në specialitetin e vërtetë të mjekësisë së familjes. Mjeku i përgjithshëm, që mbizotëron në shërbimin tonë parësor, ndryshon në aspekte të rëndësishme nga mjeku i familjes. Nga ana tjetër, infermierët me arsim të lartë që punojnë në shërbimin parësor nuk janë të përgatitur si duhet, nuk janë të pozicionuar ku duhet, përbëjnë një pasuri të konsiderueshme që nuk shfrytëzohet sa duhet. Mungon puna në ekip me mjekun, fokusimi tek edukimi, ndryshimi i stilit të jetës, parandalimi, ndjekja e të dhënave klinike.... Ndërkohë aplikimi i teknologjisë elektronike të informacionit, plotësisht i mundur, duhet të aplikohet sa më parë. Përshtatja e përgatitjes të studentëve në përputhje edhe me kërkesat e shërbimit parësor, dhënia përparësi, ndryshe nga deri sot, specializimit në mjekësinë e familjes, është e domosdoshme. Privatizimi i shërbimit parësor (pjesët më të rëndësishme të tij), një ide e hedhur, duhet vlerësuar, por jo si “çelsi i artë”, aq më tepër kur, sipas mendimit tim, sistemi s’është i përgatitur për këtë ndryshim. Sipas Fuchs “Një nga gabimet e mëdha të politikë-bërësve të shëndetësisë është besimi i tepërt tek roli rregullues i tregut apo roli rregullues i shtetit, të cilët i konsiderojnë si të vetmet instrumente për të kontrolluar shërbimin shëndetësor. Ka vend edhe për një instrument të tretë kontrolli, rivitalizimi i normave profesionale”. Për momentin, një sfidë të rëndësishme përbën integrimi i kujdesit shëndetësor brenda spitalit me atë jashtë tij. Në vendet e zhvilluara, një ndryshim është në proces. Shumë spitale kanë filluar të funksionojnë si “qendra të kujdesit shëndetësor” për komunitetin. Ndryshimi i natyrës së problemeve shëndetësore dhe praktikës mjekësore, ndryshimi i marrëdhënieve ndërmjet mjekëve dhe spitaleve, shtimi i personelit mjekësor jo mjek, sipas shumë ekspertëve, janë faktorë që kërkojnë riorientim të funksioneve të mëparshme. Spitalet duhet ta vënë theksin në mjekësinë parandaluese, edukimin shëndetësor, kujdesin ambulator, kujdesin në banesë, shërbimin rehabilitues….. Përvojë që duhet konsideruar. është fakt, që jemi me vonesë. Sigurisht jo për fajin tonë. Të tilla kanë qenë rrethanat. Por edhe vonesa e ka një të mirë. Na duhet të bëjmë atë që të tjerët e kanë bërë, ose janë duke bërë, gjë që ndihmon në shmangien e gabimeve, por dhe në përzgjedhjen e përvojës, duke bërë të mundur rikuperimin e kohës së humbur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›