E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEX ngre aktakuzë ndaj zyrtarëve të lartë të doganave

PRISHTINE-Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër drejtorit të Doganës së Kosovës, Naim Huruglica dhe udhëheqësit të Drejtorisë Ligjore të Doganës së Kosovës Lulzim Rafuna.

Sipas një njoftimi për media të EULEX-it, aktakuza kundër të pandehurve është ngritur në kontekst të një hetimi lidhur me një importim të madh të duhanit të kryer në dhjetor 2008 nga katër kompani të duhanit nga Kosova.

"Ky importim u krye pak para ngritjes së akcizës e cila hyri në fuqi në janar 2009. Ky aktivitet konsiderohet i paligjshëm pasi që është përpjekje për t’iu shmangur pagesës së akcizës. Së dyti akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose autoritetit dhe shpërdorim i autorizimeve ekonomike", thuhet në njoftim.

Aktakuza thuhet se bazohet në hetimet që formalisht kanë filluar më 5 tetor 2010 dhe të cilat janë kryer nga një prokuror special i EULEX-it në bashkëpunim me policinë ekzekutive të EULEX-it.

EULEX njofton se dëshmitë janë mbledhur nga intervistat e dëshmitarëve dhe nga materialet e konfiskuara gjatë kontrolleve të kryera më 16 dhjetor 2010 në drejtorinë e Doganës dhe në Ministrinë e financave.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›