Kapet hajni i pacientëve
Policia e Pejës ka arrestuar personin, i cili për tri vite rresht ka plaçkitur pacientët dhe stafin mjekësor të Spitalit të Pejës, fjala është për një hajn të moshës 41-vjeçare, i cili “veprimtarinë” e tij e ushtronte në këtë spital.
Zyrtari për informim i policisë në rajonin e Pejës, Zeqir Kelmendi njoftoi të premten se pas një hetimi dhe pune operative, policia ka identifikuar dhe arrestuar një person të dyshuar 41 vjeçar nga fshati Jabllanicë e Vogël e Komunës së Pejës.
Ai njoftoi se të premten nga ana e një femre 26 vjeçare nga Peja është raportuar një rast i vjedhjes së kuletës me një sasi të konsiderueshme të të hollave, letërnjoftimi, patentë shoferi, një kartele të Pro Credit Bankë dhe dy kartele të TEB-bankës, por ky ka qenë vetëm një rast nga numri i madh i rasteve të vjedhjeve që janë bërë në Spitalin e Pejës e që dyshohet se janë kryer nga personi i njëjtë.
"Gjatë hetimeve nga njësiti i cekur janë mbledhë prova dhe dëshmi për veprën e lartë cekur, si dhe gjatë hetimit janë mbledhë prova për vjedhje tjera të ndodhura më herët në Spitalin e Pejës të iniciuara nga viktimat e rasteve. Viktimat kanë qenë pacientë të spitalit dhe stafi mjekësor, kryesisht ky i dyshuar ka vjedhur kuleta, telefona mobil dhe të holla, gjatë vitit 2009, 2010 dhe 2011", pohoi Kelmendi.
I dyshuari më vendimin e Prokurorit është ndaluar në Ndalimin Policor. Hetimet janë në vazhdimësi nga Njësiti i Hetuesisë, Stacioni Policor Pejë, ku ka dyshime se i njëjti ka kryer edhe vepra penale të mashtrimit. (kp)