E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bastiste banesat e pushuesve në Durrës, arrestohet 24-vjeçari,



Durrës – Bastiste banesat e pushuesve në plazhin e Durrësit, arrestohet nga policia 24-vjeçari. Ylber Tafa lindur dhe banues në Lekaj i Kavajës, i dënuar më parë për vjedhje, është arrestuar dje nga policia pasi ka kryer disa vjedhje në zonën e Plazhit. Burime zyrtare nga policia e Durrësit thanë se Tafa, në banesën e shtetasit I. Tabaku banues në lagjen Nr 13, ka vjedhur sende të ndryshme si bizhuteri floriri, aparat fotografik etj. Në lagjen Nr. 13 Durrës në banesën marrë me qira nga shtetasi N. Rrecaj banues ne Skenderaj Kosove, i ka marrë një sasi Eurosh, disa bizhuteri floriri, varëse, byzylykë dhe unaza. Në lagjen Nr. 13 Plazh Durrës ka vjedhur banesën e shtetasit J. Jaho ku i ka marrë një sasi prej 15 000 lekësh, disa bizhuteri floriri. Të arrestuarit i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi e bizhuterive të floririt dhe disa sendeve të tjera të vjedhura në këto banesa.

Motori humbet kontrollin, aksidentohet rëndë 20-vjeçari

Shkodër – Në aksin rrugor Shkodër-Mjedë, në vendin e quajtur Juban të Gurit të Zi, motoçikleta tip Yang me drejtues Aleks Deda, vjeç 27 banues në fshatin Juban, ka dale nga rruga dhe për pasojë është dëmtuar ai vetë, si edhe pasagjeri 20 vjeç që mbante me vete, drejtuesi i mjetit si dhe pasagjeri i tij, Martin Shpori, edhe ky 20 vjeç. Ky i fundit ndodhet në spital në gjendje të rëndë duke marrë ndihmën e parë mjekësore dhe në rrezik për jetën. U kryen veprimet procedurale për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar nga neni 290/1 i Kodit Penal.

Fuoristrada përplas motoçikletën në kryqëzim, plagosen dy persona

Pogradec – Në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në kryqëzimin e Zagorçanit, automjeti Volsvagen Tuareke pa targa, me drejtues Përparim Mulaj, banues në lagjen “21 Dhjetori” në Tiranë, është përplasur me motoçikletën Skygo pa targa, që drejtohej nga Medai Topllari, banues në Rrëmenj të Pogradecit. Nga ky aksident, janë dëmtuar drejtuesi i motoçikletës dhe bashkëshortja e tij, e cila udhëtonte së bashku me të, të cilët ndodhen në spital duke marrë ndihmën e parë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën. U kryen veprimet procedurale për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar nga neni 290/1 i Kodit Penal.

Mosmjekimi i 5-vjeçarit, pranga një tjetër infermieri në Korçë

Korçë – Forcat e policisë së Korçës, përveç një mjeku dhe dy infermierësh të arrestuar dy ditë më parë për mosmjekimin e fëmijës që u pickua nga gjarpri, kanë ndaluar dje edhe një tjetër infermier. Ai është Kostika Karamitron, 41-vjeçar, banues në Korçë, me profesion infermier në spitalin e këtij qyteti. Ndalimi i tij u bë për veprën penale të “Mjekimit të pakujdesshëm”, parashikuar nga neni 96 i Kodit Penal, pasi pak ditë më parë nga mosmjekimi, ka gjetur vdekjen 5-vjeçari Viktor Balliu, banues në fshatin Leminot të Korçë, i cili ishte pickuar nga gjarpri. Materialet e mëtejshme do t’i kalojnë prokurorisë së Korçës.

I rrëmben portofolin një gruaje në qendër të Tiranës në mes të ditës, kapet i riu

Tiranë – Tenton t’i vjedhë portofolin një gruaje, në mes të ditës në qendër të Tiranës, policia kap 25-vjeçarin. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë u krye dje arrestimin në flagrancë të 25-vjeçarit Fatmir Bilali, lindur në Kukës dhe banues në Kamzë Tiranë. Burime nga policia thanë se Bilali paraditen e djeshme në bulevardin “Bajram Curri”, në afërsi të pallateve “Agimi” i ka rrëmbyer një kalimtareje portofolin. Britmat e saj kanë bërë që të reagojnë kalimtarë të tjerë të cilët lajmëruan menjëherë policinë. Shërbimet më të afërta policore, mbërritën me urgjencë duke rënë në gjurmë të autorit i cili kishte mundur të largohej fare pak nga vendi i ngjarjes. Sipas policisë të riut ju sekuestrua në cilësinë e provës materiale portofoli, brenda së cilës ndodhej shuma e parave prej 20 000 lekë. Materialet në ngarkim të tij do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “vjedhjes”.

25 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›