E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha viziton Kukësin, shpall Ramën armik të kombit



Habjon Hasani

Dje, kreu i qeverisë shqiptare, gjatë një takimi post-elektoral në Kukës shpalli kreun e Partisë Socialiste armik të Kombit. Sipas kryeministrit, Edi Rama është armik i kombit pasi sipas Berishës ai dirigjoi sabotimin dhe shpifjet ndaj rrugës që lidh Shqipërinë me Kosovën. “Sot, unë erdha në Kukës nëpërmjet korridorit të kombit. Duke ardhur mu rikujtua teza famëzezë e humbësit Edi Rama. Pasi volli vrer, tonelata shpifjesh dhe trillimesh , pasi përdori bashkë me të tjerë në mënyrën më monstruoze institucionin e akuzës, duke e shndërruar atë në një turp ordiner, nxori tezën famëkeqe, se kjo është rruga e asgjëkundit. Të deklarosh se kjo është rruga e asgjëkundit, sic bëri humbësi i shqiptarëve, i cili meritonte të humbiste dhe shqiptarët i dhanë atij atë që meritonte, do të thotë të jesh verbuar nga urrejtja dhe armiqësia ndaj kombit tënd. Të deklarosh se kjo është rruga e asgjëkundit do të thotë se ti je hiç i hiçeve, sepse sot në këtë rrugë qarkullojnë dhjetëra e mijëra shqiptarë, qarkullojnë mbi 12 mijë Unë ju garantoj ju se nuk do të jetë e largët dita, që në këtë korridor të qarkullojnë 20 apo 24 mijë automjete në ditë. Ky do të jetë korridori i shqiptarëve, korridori i Ballkanit, i cili do tu ofrojë distancën më të shkurtër dhe shërbimin më të mirë edhe kombeve fqinj”, deklaroi dje kryeministri.
Tokat
Berisha deklaroi dje se qeveria është e vendosur që të financojë në Has në Tropojë, në Kukës, Librazhd, Gramsh, Skrapar, Tepelenë, Pogradec, Kolonjë, Mirditë, çdo projekt të secilit fermer. Në këtë kontekst kryeministri i bëri thirrje fermerëve që ti mbillnin tokat me çtë donin. “Ndaj ju bëj thirrje ti mbillni tokat tuaja me ato çka ju mendoni se fitoni më shumë . Unë ju siguroj se qeveria do të financojë për çdo rrënjë druri frutor të mbjellë. Ju siguroj se qeveria do të financojë përpunimin e prodhimeve tuaja bujqësore. Ne nuk pengojmë asnjëri që të lëvizë nga vendi ku ai jeton, në rast se konstaton se aty nuk mund të ndërtojë jetën , por do të ndihmojmë çdo fermer, i cili do të ndërtojë jetën e tij, jashtë varfërisë, aty në truallin e tij”, - tha Berisha. Në vijim të vizitës së tij në qytetin e Kukësit, Kryeministri Berisha mori pjesë në inaugurimin e rrugës Kukës-Krumë me gjatësi 27 kilometra dhe vlerë 277 milion lekë. Kjo rrugë e ndërtuar sipas të gjitha parametrave bashkëkohore evropiane lidh Hasin me Kukësin, me korridorin e kombit dhe Tiranën.
Rruga
Duke përshëndetur këtë vepër të rëndësishme, Kryeministri tha se kjo rrugë së bashku me rrugën e Shishtavecit, për të cilën nisën punimet, përbëjnë investime madhore për Shqipërinë turistike, si dhe përmbushin premtimin elektoral, që të gjitha komunat e këtij vendi do të lidhen me rrugët kombëtare nëpërmjet rrugëve të asfaltuara dhe të gjitha fshatrat e këtij vendi do të lidhen me qendrat e komunave me rrugë të asfaltuara. Kryeministri tha se rruga Kukës-Krumë, plotëson një nga segmentet më jetikë të unazës verilindore dhe juglindore të vendit, që nis nga Tropoja dhe përfundon në Delvinë, duke i dhënë një frymëmarrje më të gjerë të gjitha komunave të përfshira në këtë zonë.

25 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›