LSI: Çështjet që do mbështesim fuqishëm me PD-në në tryezën e negociatave
Lëvizja Socialiste për Integrim ka shpallur prioritetet kryesore, mbi të cilat do të bazohen negociatat me Partinë Demokratike për hartimin e programit të qeverisë së re. Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së Edmond Haxhinasto tha se prioritetet e LSI-së për programin e qeverisë së re janë punësimi i shqiptarëve, lufta kundër varfërisë, rritja e prodhimit vendas si dhe përmirësimi cilësor i shërbimeve publike të shëndetësisë dhe arsimit. Prioritetet e tjera, sipas Haxhinastos do të jenë edhe reformat institucionale, pavarësia e institucioneve dhe reforma zgjedhore, pika mbi të cilat do të mbështeten fuqishëm nga LSI-ja në tryezën e negociatave. “Vendimi i LSI-së për të marrë pjesë në bashkëqeverisje me PD-në, vendim i marrë me përgjegjësi të plotë politike e historike, do të konkretizohet së shpejti në hartimin e një programi të përbashkët qeverisës. LSI po përgatit dhe do të paraqesë në tryezën e negociatave për formimin e qeverisë së re objektivat e saj programore bashkë-qeverisëse, të cilat janë në funksion të integrimit evropian, forcimit të shtetit të së drejtës dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. Prioritetet tona zhvillimore si punësimi dhe lufta kundër varfërisë, rritja e prodhimit vendas dhe veçanërisht zhvillimi i sektorit të bujqësisë dhe atij të turizmit, përmirësimi cilësor i shërbimeve publike të shëndetësisë dhe arsimit; reformat institucionale, pavarësia e institucioneve dhe pushteteve dhe veçanërisht reforma zgjedhore do të jenë elementë të rëndësishëm që ne do t’i mbështesim fuqimisht në tryezën e negociatave.
Ne jemi të bindur se integrimi i prioriteteve tona qeverisëse dhe atyre të PD, në mënyrë racionale dhe transparente, do të garantojnë një qeverisje të qëndrueshme dhe sukses në realizimin e objektivave kryesore të qeverisjes së ardhshme, stabilitetit të vendit dhe plotësimit të standardeve për integrimin në BE”, tha Haxhinasto.
25 Korrik 2009