E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja: Nuk mund të ketë referendum për ndërhyrjet në Kushtetutë



Gjykata Kushtetuese refuzoi dje me një vendim kërkesën e udhëhequr nga LSI-ja për të organizuar një referendum popullor lidhur me ndryshimet Kushtetuese të bëra me votat unanime të PS-së dhe PD-së më 21 prill 2008. Kërkuesit e referendumit u përballën në Kushtetuese me pretendimet e palës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i cili me një vendim të hershëm kishte dalë në konkluzionin se nuk ishin rrethanat për të kërkuar një referendum për këtë çështje. Dje, Gjykata Kushtetuese vërejti se kërkuesi, për të mbështetur qëndrimin e tij, referohet në teorinë e sovranitetit popullor sipas të cilës populli nuk përballet me kufizime dhe as detyrohet nga parashikimet kushtetuese në ushtrimin e sovranitetit. “Gjykata thekson se në një shtet kushtetues, ideja e një pushteti, i cili nuk përballet me detyrime dhe kufizime që burojnë nga Kushtetuta, nuk mund të pranohet. Sovraniteti i popullit, i vendosur në kuadrin e një sistemi kushtetues e ligjor, nuk mund të ngatërrohet me pushtetin themelor dhe kërkesa për të ndjekur disa procedura të veçanta gjatë ushtrimit të tij është tërësisht në përputhje me sovranitetin popullor. Kushtetuta e Shqipërisë në mënyrë të qartë e ka lidhur ushtrimin e sovranitetit popullor me rregulla të veçanta”, - shkruhet në vendimin e Kushtetueses
Argumentet
“Një nen i Kushtetutës duhet të interpretohet në kontekstin e Kushtetutës si një e tërë dhe jo i izoluar. Paragrafi në vijim i të njëjtit nen deklaron, se “populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërdrejt”. Nga interpretimi literal dhe historik i këtij paragrafi Gjykata çmon, se kushtetutëbërësi ka shprehur një preferencë të qartë në favor të demokracisë përfaqësuese. Instrumentet e demokracisë direkte zënë vend në këtë vështrim, jo si pushtet konkurrues i organeve përfaqësuese, por si instrumente që mundësojnë mënjanimin e mungesës së veprimit nga ana e përfaqësuesve ose balancimin e kësaj mungese. Referendumi, si një nga instrumentet e demokracisë direkte, nuk përbën alternativë ndaj procesit ligjvënës të parlamentit. Ai nuk mundëson bërjen e ligjeve, funksion i cili u është ngarkuar ekskluzivisht ligjvënësve “, - thekson vendimi i Kushtetueses Sipas kësaj Gjykate, sovraniteti i popullit është një parim shumë i përgjithshëm, i cili bëhet i zbatueshëm nëpërmjet dispozitave të veçanta të Kushtetutës dhe nuk mund të përdoret për përjashtimin e këtyre dispozitave
Kundër
Ndonëse në vendimin e djeshëm të Kushtetueses ka mbizotëruar me shumicë votash vendimi për anulimin e këtij referendumi, një pakicë gjyqtarësh kanë pasur një mendim të kundërt, pra në favor të referendumit. “Ndonëse Kodi Zgjedhor i njeh KQZ-së autoritetin për të pranuar kërkesat për ushtrimin e të drejtës për referendum, si çdo dispozitë ligjore që kufizon të drejta edhe kjo duhet të interpretohet në mënyrë të ngushtë. Gjykata Kushtetuese është shprehur më parë për rëndësinë dhe instrumentin e referendumit si mjet kushtetues i lidhur me nocionin e sovranitetit të popullit (neni 2/1 i Kushtetutës), që ushtrohet nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur prej tij ose në mënyrë të drejtpërdrejtë (neni 2/2). Çështja e përcaktimit të kushteve dhe rasteve, në të cilat populli mund ta ushtrojë sovranitetin në mënyrë të drejtpërdrejtë, merr një rëndësi themelore “, nënvizon mendimi i pakicës në këtë Gjykatë lidhur me referendumin për ndryshimet Kushtetuese.

25 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›