E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushtetuesja rrëzon kërkesën për pagat e gjyqtarëve



Tiranë - Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar dje kërkesën e shoqatës Unioni i Gjyqtarëve në lidhje me pagën e Gjyqtarëve të shkallës së parë për Krimet e Rënda. Gjyqtarët kishin ngritur pretendimin se ulja e pagës së gjyqtarit të gjykatës së shkallës së parë për krime të rënda, nga 60% të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, në masën 50 % të pagës së tij, që parashikohet në nenin 26, pika 2 të ligjit nr. 9877, datë 18.02.2008, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” vjen në kundërshtim me nenin 138 të Kushtetutës, në të cilin sanksionohet se, “Koha e qëndrimit të gjyqtarëve në detyrë nuk mund të kufizohet; paga dhe përfitimet e tjera të tyre nuk mund të ulen”. Mirëpo ky argument nuk është pranuar nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe në ditën e djeshme u vendos për rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të fjalisë “Paga bazë e gjyqtarit të gjykatës së shkallës së parë të krimeve të rënda është e barabartë me 50 për qind të pagës së gjyqtarit të Gjykatës së Lartë” dhe të fjalisë “Mbi këtë pagë, për kushte të veçanta pune, shtohet 10 për qind”, të nenit 26/2, të Ligjit nr. 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”.

Zjarr i madh në Orikum, pa rrezik për banorët dhe pushuesit

Vlorë- Një vatër zjarri është shënuar dje në zonën e Orikumit në Vlorë. Burime nga vendngjarja pohuan se e gjithë zona u mbulua nga një re e madhe tymi dhe dy makinat zjarrfikëse që janë afruar nuk po e shuanin dot zjarrin për shkak të mungesës së rrugës dhe karakterit kënetor të zonës. Ndërkohë, mësohet se zjarri nuk përbën kërcënim për banorët dhe pushuesit pasi ndodhet larg zonave të banimit dhe hoteleve. Dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar si pasojë e temperaturave të larta por policia po heton edhe për zjarrvënie të qëllimshme. Madje, drejtori i Shërbimit të Zjarrfikësve, Dilaver Laçaj pohoi për mediat se zjarri mund të ishte i qëllimshëm pasi ka përfshirë një sipërfaqe të madhe kallamishtesh poshtë të cilave ka ujë.

25 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›