E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cannabisi mbërrin edhe në Kashar, fare pranë Tiranës



Tiranë – Parcelat me Cannabis sattiva janë zbuluar edhe fare pranë kryeqytetit. Në një fshat të Komunës Kashar uniformave blu u është dashur të asgjësojnë një sasi bimësh, zonë e padëgjuar ndonjëherë për mbjellje të bimëve të Cannabis. Rrethinat e Tiranës, të cilat nuk kanë qenë në hartën e zonave që kultivojnë Cannabis tani do të përfshihet në të. Një tjetër operacion anticannabis i policisë ishte edhe ai i kryer dje në Nivicë të Tepelenës.
Operacioni
Specialistët e antidrogës të Drejtorisë së Policisë Qarku Tiranë në bazë të informacioneve të sigurta në rrugë operative, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, sekuestruan dje në fshatin Kus, komuna Kashar disa parcela të veçuara, të mbjella me bimë narkotike Cannabis sattiva. Nga shërbimet e policore, u kontrollua me imtësi zona, ku është kultivuar bima. Ndaj u sekuestruan gjithsej 87 rrënjë bimë narkotike Cannabis sattiva me gjatësi të ndryshme, të cilat ishin të mbjella në afërsi të një përroi në fshatin Kus të Komunës Kashar. Trualli, në të cilat ishin mbjellë bimët narkotike, pas verifikimeve të bëra rezultuan se ishin pa pronar.
Nga grupi hetimor i formuar për të këtë qëllim u kryen veprimet procedurale, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kultivimit. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Kultivimit të narkotikëve”.
Tepelenë
Në kuadër të operacionit “Era e Jugut”, të nisur për shkatërrimin e parcelave të kultivuara me bimë narkotike në jug të vendit, gjatë një aksioni tjetër në rrethin e Tepelenës, në fshatin Nivicë të Kurveleshit ka evidentuar një parcelë të hapur rishtas për të kultivuar bimë narkotike, ku ishin mbjellë rrënjë bimë narkotike Cannabis sattiva. Sipas të dhënave policore, në këtë parcelë ishin të mbjella 203 rrënjë bimë të dyshuara si Cannabis sattiva, të cilat varionin nga 70 centimetra deri në 150 centimetra të larta. Në momentin që policia ka shkuar në vendin ku ishte parcela, autori i kultivimit të bimëve narkotike duke përfituar nga terreni mjaft i thyer dhe i vështirë, ka mundur të largohet. Nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet e para procedurale dhe hetimore, si marrja në cilësinë e provës materiale të një sasie rrënjë bimësh për ekspertim biokimik, ndërsa bimët e tjera janë asgjësuar në vend me anë të djegies dhe u bë shpallja në kërkim e autorit, ku për arsye hetimi nuk bëhen me dije të dhënat e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme për veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”, parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal.

25 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›