E Diel, 1 Nëntor 2026

Batak thuajse-diktatorial

Në prill të këtij viti, gazeta ruse “Moskovsky Korrespondent” citoi disa burime të brendshme të Kremlinit që thoshin se presidenti Putin, ishte divorcuar fshehtas publikut nga gruaja dhe po planifikonte të martohej me gjimnasten olimpike ruse, Alina Kabaeva. Opinioni publik rus u shokua pa masë, ndërsa gazetat më të rëndësishme europiane nuk hezituan ta citonin lajmin. Por, të nesërmen e publikimit, “Moskovsky Korrespondent” dhe një tjetër organ mediatik që i përkisnin të njëjtit pronar, u “pushtuan” nga forcat e sigurisë si dhe nga agjentë të administratës tatimore ruse, dhe zyrat e tyre u mbyllën pa një pa dy. Një skenar i tillë, është i paimagjinueshëm për demokracitë perëndimore, por mëse normal për Rusinë, ku kontrolli shtetëror mbi mediat është tepër agresiv e gjithëpërfshirës.

Në të tillë batak quasi-diktatorial, ku liria e medias dhe e fjalës cenohet haptazi prej qeverisë dhe organeve-masha të saj, duket se ka rënë edhe Shqipëria e kryeministrit S.Berisha. Në ditët e fundit shqiptarëve u është dashur të shohin nëpër televizionet kombëtare transmetimin e një spoti tepër të gjatë të krijuar dhe financuar prej qeverisë, ku për plot shtatë minuta shfaqen “arritjet e sukseset” e mazhorancës në shumë fusha si asfaltimi i rrugëve apo lufta kundër korrupsionit. Për t’iu “vjedhur” dispozitave ligjore mbi fushatat zgjedhore të cilat nuk lejohen përveçse përgjatë fushatës zyrtare, 420 sekondave të spotit u është veshur petku i një “njoftimi”, dhe në fund, Kryeministri njofton gjithë shqiptarët për numrin e tij të telefonit, ku çdokush mundka të raportojë për raste korruptive.

Ndoshta nuk është vendi këtu që të tregojmë se sa qesharak e abuziv është fakti që qeveria përdor fonde shumë të vlefshme të taksapaguesve shqiptarë për të “demonstruar e valëvitur” të ashtuquajturat arritje që, në fakt, po të ishin të vërteta e të dukshme, nuk do të kishin nevojë të reklamoheshin nëpër spote të stërzgjatura. Konkluzionin për tentativën manipuluese e spekulative të qeverisë e arrin shumë lehtë çdo shqiptar inteligjent. Dhe në fakt, thjesht për të ridikulizuar aksionin e radhës propagandistik të qeverisë, lëvizja G99 shpërndau një spot satirizues e ironizues, ku i kujtohej z.Berisha se nuk mund ta luftojë korrupsionin me forcën e telefonit, dhe nuk mund të përdorë paratë e shqiptarëve si ti teket.

Në kuadrin e traditës së z.Berisha në marrëdhëniet me mediat, sapo spoti filloi të transmetohej, dy televizioneve që e publikuan, iu vendosën gjoba totalisht të pajustifikuara nga ana ligjore. Déjà vu! Në këto tre vjet në pushtet, qeveria e z.Berisha, ka sulmuar me gjoba dhe mënyra të tjera gjithë mediat që kanë guxuar t’i dalin kundër.

Një skenar i tillë është i pranueshëm dhe mëse normal për Robert Mugaben, diktatorin e Zimbabves që kërcënon dhe rreh gazetarët, dhe kështu e ka tepër të lehtë të zgjasë jetën e sundimit të vet, tashmë 22 vjeçar. Në mënyrë të ngjashme, në vitin 2007, neo-diktatori venezuelian Hugo Chavez i vuri kyçin televizionin më të madh e më popullor në Venezuelë (RCTV), pas 53 vitesh transmetim, ndërsa policia qëllonte plumba e hidhte gaz lotsjellës mbi qindra-mijëra protestues në rrugët e Karakasit. Ndërkaq, gazetarët antiqeveritarë në Rusi janë arrestuar, burgosur e deri edhe vrarë. Gjithçka normale; për një diktaturë!

Ashtu si në Rusi, Venezuelë, e Zimbabve, edhe në Shqipëri, pavarësisht retorikës boshe për respektin e medias së lirë, faktet tregojnë se Berisha nuk e ka ndryshuar aspak qëndrimin e tij tejet agresiv kundrejt fjalës së lirë, të cilës, si çdo diktator, i trembet më tepër se gjithçkaje tjetër. Liria e fjalës dhe liria e shtypit janë shtylla thelbësore të çdo demokracie, duke qenë se i lejojnë njerëzve të monitorojnë e të kritikojnë qeverinë, pa u frikësuar e intimiduar. Nëse qeveria na instrukton se çfarë duhet të themi, kur duhet ta themi, dhe si duhet ta themi, në atë moment demokracia fillon vdes e diktatura fillon merr frymë lirisht. Me shumë të drejtë, një prej baballarëve të SHBA, presidenti Thomas Jefferson, shkruante: “Për të ruajtur lirinë e mendjes njerëzore e më pas lirinë e shtypit, çdo individ duhet të jetë gati për t’u martirizuar; për aq kohë sa ne mendojmë siç duam, dhe të flasim siç mendojmë, kushtet e njerëzimit do të përmirësohen.”

Për të tilla mendime Jefferson, edhe pas 200 vjetësh, vazhdon të kujtohet e respektohet si një flamurtar i demokracisë, ndërsa Mugabet, Putinët, Chavezët apo Berishët mbushin analet si diktatorë e dhunues të lirisë! Është koha që të zgjohemi nga ky makth qeverisës që na mashtron, manipulon e dhunon çdo ditë! Nuk duhet të dekurajohemi e të dorëzohemi; njerëzve të medias dhe gjithë shqiptarëve të cilët vuajnë represionin mediatik, ekonomik e administrativ të qeverisë, ne qytetarët e këtij vendi u themi: Kurajë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›