Rama: Topalli të hapë dosjen e saj
Kryetari i Partisë Socialiste flet për reformën zgjedhore dhe ligjet e rëndësishme që pritet të votohen në Kuvend
Rama: Kufizimi i imunitetit? Më parë reforma në drejtësi
Zoti Rama, Kryeministri dje në mbledhjen e grupit të demokratëve kërkoi 4 konsensuse të mëdha, për 4 ligje që ai i mendon si të rëndësishme. Cili do jetë qëndrimi juaj?
Ne, qysh në krye të herës kemi shprehur vullnet dhe qartësi për një reformë rrënjësore të sistemit politik, duke filluar nga një reformë zgjedhore e mirëfilltë, për të shmangur të gjitha deformimet e viteve dhe zgjedhjeve të shkuara. Në këtë drejtim kemi vënë interesat e vendit dhe qytetareve e qytetarëve votues, mbi interesat e palës, apo të grupit. Çka do të thotë, se me këtë filozofi do të shkojmë deri në fund, për një sistem zgjedhor modern, europian dhe funksional.
Si është bashkëpunimi i deritanishëm me mazhorancën për reformën zgjedhore?
Kjo është një reformë që si gjithë reformat që kanë edhe në Kushtetutë një frymë bipartizane, kërkon konsensus dhe bashkëpunim mes të gjitha palëve. Në këtë sens, ne kemi kontribuar dhe do të vazhdojmë të kontribuojmë për të garantuar realizimin e një modeli modern, evropian dhe funksional. Sigurisht, që aspektet e reformës që zbërthehen në Kodin Zgjedhor janë shumëplanëshe dhe sigurisht që kërkojnë një debat të mirëstrukturuar dhe një transparencë e plotë me të gjithë faktorët, gjë që nga ana jonë e kemi bërë dhe do ta bëjmë deri në fund. Dua ta them fare qartë që edhe Kodi Zgjedhor do të jetë shprehje e kësaj filozofie, një reformë zgjedhore për zgjedhje të lira dhe të ndershme, në një sistem funksional, ku interesat e vendit dhe të njerëzve, qytetareve, qytetarëve votues, janë ata që udhëheqin rrugën tonë, derisa të vendosim pikën e fundit në Kod dhe jo interesat e një pale, një grupi apo një individi.
Ka pasur kontestime për koalicionet e përbëra, të quajtura si koalicione bishtash...
Miku im, Ilir Meta, e ka humbur kthjelltësinë dhe është përditë e më tepër i zhytur në batakun e politikës së vjetër, të dasisë e të sherrit, ku gjeneron në vazhdimësi mllef ndaj Partisë Socialiste dhe argumente të paqëndrueshme. Argumenti i bishtave është tërësisht joserioz, tërësisht joprofesional, tërësisht i pambështetur në një realitet konkret.
Për ligjin për prokurorinë, ende nuk ka një draft të publikuar, me gjithë informacionin që kemi. Çfarë reforme synoni në prokurori, ku do t’i jepni votat ju?
Jemi tërësisht të painformuar lidhur me këtë përpjekje dhe me këtë draft. Gjykoj se është koha që Kryeministri përpara se t’i bëjë reklamë një drafti të panjohur, ta bëjë atë publik dhe gjithashtu t’i hapim udhë ku përfshihen prokurorët, gjykatësit dhe të gjithë aktorët dhe faktorët e interesuar të shoqërisë civile, në mënyrë që të mos bëjmë arna në funksion interesash të pjesshme, por të realizojmë një reformë, e cila duhet t’i garantojë një pavarësi edhe më të madhe prokurorisë dhe, nga ana tjetër, një efektshmëri shumë më të madhe të saj. Dua gjithashtu të theksoj që ne, për sa na takon, padyshim kemi alternativën tonë edhe për këtë zë të posaçëm të reformës në drejtësi, por është e udhës që reforma të jetë e integruar, ku të përfshihen të gjitha pjesët e tij, dhe që ky draft apo projektligj për prokurorinë, të jetë në koherencë të plotë me gjithë sistemin. Kjo është ajo që ne mendojmë.
Po sa i takon betejës së hershme për ligjin e imuniteteve?
Ne nuk kemi asnjë paragjykim dhe asnjë ngurrim të votojmë për kufizimin e imunitetit, por më parë duhet të garantojmë cilësinë e një reforme në drejtësi, e cila do t’i japë fund një epoke ku gjuetia e shtrigave, manipulimi i pjesëve të sistemit të drejtësisë, mungesa e pavarësisë së plotë, apo shantazhimi mbi gjyqësorin, ka qenë në vijimësi i pranishëm. Që do të thotë se kufizimi i imunitetit, është pjesë e një procesi dhe si i tillë, duhet të jetë rezultat i këtij procesi.
Pra, në njëfarë mënyre, e kushtëzoni ligjin e imuniteteve me reformën në drejtësi?
Ky nuk është kushtëzim, por është filozofi e procesit.
Një ligj i debatueshëm, gjithmonë i dalë në skenën politike, është ai i spiunëve. Sërish ka një debat të fortë, ju keni pasur një draft. Çfarë do të ndodhë me të?
Më shumë se 2 vjet më parë, kemi depozituar një propozim konkret për këtë çështje, e cila hyn e del nga sirtari i shërbëtores Jozefinë sa herë i duhet Kryeministrit dhe padronit të saj që të spostojë vëmendjen e publikut.
A ka Partia Socialiste frikë nga një hapje e dosjeve, apo një ligj i mirëfilltë për ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit?
E përsëris, më shumë se 2 vjet më parë, ne e kemi hedhur një hap, jo me fjalë, por me një propozim konkret dhe, nga ana tjetër, theksoj se edhe ky aspekt i ndarjes me të shkuarën, nuk është problem i Partisë Socialiste, por është problem i Partisë Demokratike. Nuk do të ishte keq, që ata që flasin më shumë për këtë, duke filluar nga spikerja e Kuvendit, të hapin dosjen e tyre dhe të tregojnë se nuk kanë të bëjnë me këtë ligj, apo nuk kanë të bëjnë me këtë të kaluar.
Të prekim edhe pak temën e drejtësisë, ju keni paraqitur paktin kombëtar për drejtësinë, para Samitit të Bukureshtit, ku morëm edhe ftesën. Në fakt, nuk ka ecur asgjë nga reforma në drejtësi?
Pavarësisht vullneteve dhe përqasjeve mes palëve që në momentin përpara marrjes së ftesës për në NATO, u konvergua në një vijë të përbashkët, mbetemi dy botë të ndara, dy filozofi të ndara, dy këndvështrime të ndara se si mund të reformohet shteti dhe shoqëria shqiptare. Ne jemi për reforma sistemike, kurse pala tjetër është arna sistematike dhe kjo është ajo që na ndan. Reformimi sistemik dhe arnimi sistematik. Ne duam të reformojmë sistemin, ne duam që të shkojmë te themelet, aty ku fillon reformimi, për të transformuar mekanizmat funksionalë të të gjitha këtyre pjesëve të shtetit. Kurse pala tjetër, arnon dhe vetëm arnon, duke qenë e paaftë të kuptojë se në të gjitha këto fusha, ne kemi nevojë për ndryshim rrënjësor dhe jo për ndryshime sipërfaqësore.
Me sa kuptoj, konsensusi do të jetë më i lehtë për reformën zgjedhore. Për 3 ligjet e tjera, a do të kemi betejë? Cila do jetë linja e opozitës në Kuvend përsa i përket konsensusit të kërkuar nga mazhoranca?
Jemi të gatshëm të vazhdojmë të kontribuojmë, por absolutisht të vendosur për të mos cenuar asnjë nga parimet dhe vlerat e filozofisë tonë dhe njëkohësisht e asaj që është baza e një sistemi demokratik, transparencë, debat dhe konsensus në funksion të rritjes së pavarësisë së institucioneve, në funksion të rritjes së efektshmërisë së institucioneve, në funksion të ndarjes së politikës nga aspektet e tjera të funksionimit të shtetit, që nuk duhet të ndikohen, të deformohen nga vullnetet e politikës.
Për dosjet
E përsëris, më shumë se 2 vjet më parë, ne e kemi hedhur një hap, jo me fjalë, por me një propozim konkret dhe, nga ana tjetër, theksoj se edhe ky aspekt i ndarjes me të shkuarën, nuk është problem i Partisë Socialiste, por është problem i Partisë Demokratike. Nuk do të ishte keq, që ata që flasin më shumë për këtë, duke filluar nga spikerja e Kuvendit, të hapin dosjen e tyre dhe të tregojnë se nuk kanë të bëjnë me këtë ligj, apo nuk kanë të bëjnë me këtë të kaluar.
Votimi për ligjet e rëndësishme
Jemi të gatshëm të vazhdojmë të kontribuojmë, por absolutisht të vendosur për të mos cenuar asnjë nga parimet dhe vlerat e filozofisë tonë dhe njëkohësisht e asaj që është baza e një sistemi demokratik, transparencë, debat dhe konsensus në funksion të rritjes së pavarësisë së institucioneve, në funksion të rritjes së efektshmërisë së institucioneve, në funksion të ndarjes së politikës nga aspektet e tjera të funksionimit të shtetit, që nuk duhet të ndikohen, të deformohen nga vullnetet e politikës.
Për imunitetin
Ne nuk kemi asnjë paragjykim dhe asnjë ngurrim të votojmë për kufizimin e imunitetit, por më parë duhet të garantojmë cilësinë e një reforme në drejtësi, e cila do t’i japë fund një epoke ku gjuetia e shtrigave, manipulimi i pjesëve të sistemit të drejtësisë, mungesa e pavarësisë së plotë, apo shantazhimi mbi gjyqësorin, ka qenë në vijimësi i pranishëm. Që do të thotë se kufizimi i imunitetit, është pjesë e një procesi dhe si i tillë, duhet të jetë rezultat i këtij procesi.
Për kontestimin e LSI-së ndaj koalicionit