E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthimet në rrugë, shkatërrohen banesat

Mirditë- Shpërthimet që bëhen gjatë punimeve për hapjen e trasesë së autostradës në segmentin Rrëshen-Kalimash kanë alarmuar banorët e disa fshatrave të Mirditës. Jo vetëm dëmtim të konsiderueshëm të banesave, por edhe rrezik të jetës së njerëzve.

Në fshatin Gëziq ditët e fundit janë shënuar dëmtime të mëdha në disa banesa kur nga shpërthimi i një sasie dinamiti prej 2 tonësh një rrebesh gurësh ka fluturuar mbi këto banesa duke u shkatërruar çatitë, tavanet dhe pjesët e tjera brenda si dhe orendi e të tjera gjëra madje duke u rrezikuar jetën bujtësve të tyre.

Sipas banorëve askush nuk i kishte njoftuar për një shpërthim të tillë të fuqishëm që të paktën të largonin fëmijët nga shtëpia. Nga kjo batërdi gurësh më i rrezikuari ka qenë një fëmijë i moshës 3 vjeç, teksa pak centimetra larg tij, në krevatin ku flinte ka rënë një gur i madh.

Ngjarja ndodhi në shtëpinë e Nikoll Kolës pranë krevatit të fëmijës trevjecar ku dhe ka rënë guri. Familjarët thanë se guri ka çarë më parë çatinë, tavanin dhe ka rënë afër djalit që ishte në gjumë. Vetëm fati ka qenë me të, ndërsa të alarmuar ata e kanë marrë fëmijën menjëherë për ta nxjerrë jashtë, por kur kanë dalë në oborr janë habitur më shumë pasi i tërë oborri i shtëpisë ishte mbushur me dhjetëra gur të përmasave të mëdha.

E njëjta situatë shihej në shumë banesa të tjera. Banorët e këtij fshati i janë ankuar firmës ndërtuese “Bechtel-Enka”, por nuk kanë marrë asnjë reagim pozitiv, ndërsa kanë shkruar shqetësimin e tyre me një peticion pranë autoriteteve vendore, të cilat ua kanë përcjellë shqetësimin po firmës ndërtuese, por pushteti vendor ka si tagër vetëm konstatimin e gjendjes si dhe për ta relatuar atë tek Ministria e Transporteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›