Cila Kosovë?
Së paku 43 vende nga anë të ndryshme të globit e kanë pranuar Kosovën si vend të pavarur. Problemi nuk qëndron te premtimi i Hashim Thaçit se do të na njohin 100 vende, përgjatë garës së tyre se kush do të na pranojë më parë. Natyrisht që premtimin e Thaçit nuk e kemi marrë seriozisht. Problemi qëndron se shteti i Kosovës, edhe pas shpalljes së Pavarësisë, nuk ka bazë objektive vendore: nuk konsiston as në integritetin territorial e as në disponimin me resurset natyrore dhe kapacitetet zhvillimore. Hyrja në fuqi e Kushtetutës u bë për hir të ceremonisë solemne dhe jo anasjelltas. Kushtetuta hyri në fuqi për ta vazhduar spektaklin e pas shpalljes së pavarësisë përmes të cilit qytetarët shpërqendrohen nga mjerimi social dhe stagnimi ekonomik i vendit. Krerët e institucioneve, në secilën pamje televizive janë të rrethuar nga dy gjëra: flamuri i Kosovës dhe diplomatët ndërkombëtarë. I pari, është aty që të krijojë përshtypjen se Kosova është një dhe e pandarë, tamam si harta në flamur. Kurse të dytët, janë aty që të krijojnë përshtypjen se politikanët kryesor vendas janë të pandarë nga zyrtarët e lartë ndërkombëtarë dhe asisoj populli të mos mundet t’i fajësojë ata veçmas.
Hyrja në fuqi e Kushtetutës nuk e bën më të fuqishme Kosovën. UNMIK-u e ka sqaruar qysh herët se zbatimi i Kushtetutës është proces. Kjo do të thotë që zbatimi i Kushtetutës do të jetë selektiv. Aty ku mund të zbatohet ajo do të zbatohet, aty ku s’mund të zbatohet, do të pritet për kohë më të mira. Është lehtë e parashikueshme se ku mendohet se do të mund të zbatohet Kushtetuta: në jug të Ibrit dhe aty ku shqiptarët janë shumicë. Për veriun e Kosovës dhe enklavat serbe vendos Serbia. Për ato tashmë s’vlen as Plani i Ahtisaarit që gjithsesi është shumë i pafavorshëm për Kosovën. Ban Ki-moon përmes letrës së tij dërguar kryetarit të Serbisë, Boris Tadiq, i bëri atij një ofertë që e tejkalon Planin e Ahtisaarit: doganat i mbesin UNMIK-ut, gjykatat bëhen etnikisht të ndara jo vetëm nëpër komunat serbe por edhe në vendbanime më të vogla, policia po ashtu e ndarë etnikisht, selia në Beograd e Kishës Ortodokse Serbe fiton të drejtën ekskluzive të mbrojë e ndërtojë objektet e saj në Kosovë, ndërkohë që sundimi ndërkombëtar do të jetë neutral karshi statusit të Kosovës (i cili kësisoj na del se nuk qenka i përcaktuar ende)! Por, jo vetëm kaq. Zbatimi i Kushtetutës në jug të Ibrit do të jetë për të keq. Decentralizimi që sajon 5+1 komuna të reja me shumicë serbe (përveç atyre pesë që tashmë janë), “eksterritorialiteti” i 45 kishave e manastireve ortodokse (që marrin mijëra hektarë tokë dhe i vënë ato nën kontroll të Beogradit) janë obligime kushtetuese prioritare. Kështu është paraparë në Planin e Ahtisaarit i cili ndodhet brenda Kushtetutës por edhe mbi të – neni 143/1 i saj konfirmon që nëse ekziston ndonjë kundërthënie ndërmjet Kushtetutës dhe Planit të Ahtisaarit, vlen kjo e fundit.
Pas shpalljes së pavarësisë dhe pas hyrjes së Kushtetutës në fuqi, në vend se pavarësia nominale të mbushet me substancën që quhet sovranitet, ajo po mbushet me pengesa të përhershme për atë substancë. Zaten, nëse lexohen me kujdes Plani i Ahtisaarit si dhe letra më e re e Ban Ki-moon-it, të dyja këto shpërfaqen si pengesa e si mungesa, si kodifikim i asaj që nuk do ta kemi e jo i asaj që do ta kemi. Do të ketë pushtet ndërkombëtar me fuqi ekzekutive sepse s’do të kemi sovranitet, do të kemi polici e gjyqësi të ndarë etnikisht sepse s’do të kemi institucione unike, do të kemi decentralizim sepse s’do të kemi integritet territorial, do të kemi FSK sepse nuk do të kemi ushtri etj.
Legalisht, Plani i Ahtisaarit është bërthama e Kushtetutës së Kosovës. Mirëpo, politikisht ai është asgjë më shumë se pragu i rënies së mëtutjeshme. Plani i Ahtisaarit nuk është plan. Plani i Ahtisaarit është pragu të cilin nuk mund ta kalojnë, është tavani mbi të cilin nuk mund të ndodhen institucionet e Kosovës. Ai shenjon zonën ku ndodhet një plan që mungon, një plan tjetër që u mundua ta formësojë në vija të trasha edhe Ban Ki-moon në ofertën e tij për Boris Tadiqin. Mund të shkohet nën Planin e Ahtisaarit, mund të shkohet më keq se ai, por jo mbi të e më mirë se aq. Në fakt, pas pranimit të dokumentit të Ahtisaarit nga ana e institucioneve të Kosovës ai dokument praktikisht ra në ujë. Serbia nuk e pranoi atë dhe negociatat po vazhdojnë në forma tjera: Gerard Gallucci e Yves de Kermabon koketojnë me strukturat e Serbisë në Kosovë, kurse Ban Ki-moon ia propozon Boris Tadiqit planin e Slobodan Samarxhiqit për ndarje funksionale. Dokumenti i Ahtisaarit ka mbetur veçse qëndrimi i institucioneve të Kosovës i cili s’mbahet dot meqë është në kuadër të procesit të negociatave që nuk përfundojnë. Duke i pranuar kërkesat e Serbisë, duke i bërë koncesione asaj, procesi i negociatave me Serbinë nuk u mbyll dhe ai po shkon drejt përjetësimit: Serbia vazhdimisht kërkon gjithnjë e më shumë. Dy gjëra kryesore po e mundësojnë këtë: në njërën anë Qeveria e Kosovës e cila nuk e ka ndërmend ta bëjë Kosovën sovrane – ajo nuk e kupton se shteti është (edhe) forcë; kurse, në anën tjetër nuk ka shkop ndërkombëtar për Serbinë – s’ka më sanksione për të dhe as përjashtim të saj nga organizatat ndërkombëtare si dikur. Në deklaratën e pavarësisë së Kosovës tetë herë përmendet Ahtisaari dhe vetëm tri herë pavarësia, përfshirë këtu edhe titullin e deklaratës. Dokumenti i Ahtisaarit në përpikmërinë e tij realisht ka rënë sepse procesi nuk po mbyllet: institucionet e Kosovës jo vetëm që e kanë filluar procesin e pazarit me Kosovën por ato asnjëherë nuk kanë treguar vendosmëri për ta mbyllur këtë proces. Në rastin më të mirë - e që sërish është i keq - do të na përsëritet situata e fundit të viteve të ’80-ta: institucionet e Kosovës do të insistojë në Planin e Ahtisaarit ashtu siç insistohej dikur në autonominë e ’74-shit. Fare mirë e dimë të gjithë se çfarë pat ndodhur atëherë...
Kosova, shteti më i ri në botë, vazhdon të njihet nga shtete të reja, përsërisin për çdo ditë politikanët. Mirëpo, nuk është saktësisht e njëjta Kosovë ajo që po njihet nga vendet e ndryshme. Jemi gjithnjë e më të rrudhur territorialisht e më të gjymtuar institucionalisht. Atëherë, cila Kosovë është njohur dhe po njihet? Kosova e cila është njohur menjëherë pas 17 shkurtit, ajo pas 11 majit, kjo pas 15 qershorit apo ajo që do të bëhet në vjeshtë? Pra, cila nga këto Kosova është njohur e po njihet nga vendet e tjera? Përgjigja është e thjeshtë: Kosova e tanishme – Kosova në momentin kur unë po e shkruaj këtë tekst e më pas Kosova në momentin kur ju do të jeni duke e lexuar këtë tekst. Kosova po ndryshon (për të keq) dhe kjo Kosovë e ndryshuar është Kosova e njohur. Kurdo e nga kushdo që të jetë njohur Kosova bëhet fjalë për Kosovën e tanishme, për Kosovën e atij momenti kur mendohet për të. Rrjedhimisht, krejt varet prej nesh se çfarë bëjmë me Kosovën dhe çfarë lejojmë që të tjerët të bëjnë me të. Ajo Kosovë do të njihet dhe ajo Kosovë do të jetë Kosova e njohur.
Pavarësia e Kosovës është gjithsesi e kotë nëse qytetarët nuk jetojnë më mirë, më lirë dhe më sigurt pas saj. Pavarësia nuk matet me përmirësimin e jetës së politikanëve por të popullit në shërbim të të cilit duhet të jenë ata politikanë. Qytetarët nuk janë fajtor për gjendjen. Fajtor është pushteti. Ama, qytetarët janë po ashtu përgjegjës. Ata duhet ta pyesin veten se deri kur do të lejojnë që heshtja e tyre t’i normalizojë edhe të këqijat më të jashtëzakonshme. Sa më parë (kjo pyetje për veten tonë), aq më mirë e më kollaj (për neve dhe brezat tjerë) do të jetë.
*Autori është lider i Lëvizjes kosovare “Vetëvendosja”