E Shtunë, 31 Tetor 2026

Batohet anija moldave, vihet në alarm porti

12/12/2008  Kishte ngarkesë rreth 1700 ton melaminë. Dyshime mbi një defekt të ndodhur gjatë lundrimit

DURRES- Efektivat e sigurisë portuale janë vënë në gjendje alarmi pas një sinjali që u ka mbërritur rreth rrezikut të mbytjes së anijes moldave “Sun-E”. Anija me flamur moldav me peshë afro 1700 ton ngarkesë është vënë në rrezik pas mënjanimit të ngarkesës. Autoritetet portuale, të sigurisë portuale si dhe të kapitanerisë janë vënë në lëvizje duke marrë të gjitha masat për të shpëtuar anijen dhe ngarkesën, e cila tashmë ishte futur në kalatën e përpunimit.

Ngjarja

Anija me ngarkesë ka hyrë në portin e Durrësit rreth orëve të para të mëngjesit për të nisur përpunimin e mallit. Kapitaneria e portit ka pohuar se anija moldave “Sun-E” ka hyrë në port rreth orës 09:00 dhe në më pak se gjysmë ore pas hedhjes së spirancave ka nisur të batohet. Ngjarja ka vënë në gjendje alarmi kapitanerinë e portit, e cila është vënë në gatishmëri për normalizimin e situatës. Mjetet e shpëtimit detar e kanë tërhequr anijen në kalatë ku e kanë ankoruar në gjendjen në të cilën ndodhej pra të mënjanuar 10 gradë nga njëri krah. Kapiteni i portit të Durrësit, Muharrem Trupja, shpjegon se anija ka mbërritur në rad në orën 06.30 minuta, ndërsa rreth orës 9.20 minuta në kohën që anija ka filluar të futej në basenin e portit për t’u ankoruar, ka filluar të batohet, duke rrezikuar ekuipazhin. Shkak për këtë, sipas informacioneve paraprake të bëra publike nga Tupja, është mënjanimi i ngarkesës si pasojë e dallgëve, gjë që ka çuar deri në batimin e anijes. Por dyshimet bien edhe mbi ndonjë defekt të ndodhur në anije gjatë lundrimit. Një tjetër shkak mund të jetë një defekt i pësuar në balestrat, të cilat sipas specialistëve dyshohet të kenë marrë ujë, e për pasojë kjo ka ndikuar në mënjanimin e anijes. Gjithsesi ngarkesa është përqendruar e gjitha në krahun e djathtë të anijes gjë që ka sjellë batimin e anijes dhe pamundësinë për ta çuar atë në pozicion normal. Si pasojë e batimit, anija është përplasur lehtë me bankinën e kalatës numër pesë ku dhe ndodhet e ankoruar momentalisht, duke marrë dëmtime të vogla. Anija “Sun–E” është prodhim i vitit 1973 dhe vinte nga Triporti i Turqisë e ngarkuar me 1750 ton melaninë, e cila është lëndë e parë për mobilie. Ajo ka një gjatësi prej 76,84 metra si dhe gjerësi 13,6 metra, me një kapacitet 2000 tonësh. Në operacionin e shpëtimit morën pjesë 2 rimorkiatorë si dhe disa anije shpëtimi, pjesëtarë të ekuipazhit si dhe forca të marinës. Autoritetet portuale kanë bërë të ditur se gjendja është kthyer në normalitet disa orë më pas duke mos sjellë asnjë pasojë për portin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›