E Shtunë, 31 Tetor 2026

Batohet një maune, vdes punëtori 22-vjeçar

Një maune me targa të Beratit, që ishte duke transportuar një ngarkesë me xham në drejtim të Sarandës, ka dalë nga rruga në vendin e quajtur Kthesa e Dhrovjanit, mbi burimet e Syrit të Kaltër. Burimet policore të Delvinës thanë se pesha e ngarkesës ka sjellë rrëshqitjen e automjetit në anën e djathtë të rrugës për në Sarandë. Si pasojë ka gjetur vdekjen 22-vjeçari Fotjon Aliaj, punëtor i ngarkim-shkarkimit. Burimet spitalore thanë se drejtuesi i automjetit, Ciriljon Guri, 43 vjeç nga Berati, ka pësuar dëmtime të ndryshme. I shoqëruar nga patrulla e policisë, Guri ka kryer ekzaminime në radiologjinë e spitalit të Sarandës, nga të cilat ka rezultuar me thyerje të disa brinjëve, me nxjerrje të shpatullës dhe dëmtime në parakrah. Ndërkohë, trupi i pajetë i Aliajt është çuar në morgun e spitalit të Sarandës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›