E Diel, 1 Nëntor 2026

Polici, me gjashtë shokë merr peng një adoleshent



Shtatë persona, mes tyre një oficer policie, janë bërë protagonistët e një pengmarrjeje në Tiranë. Edhe pse kishin nisur vetë një konflikt, ata nuk e kanë falur një 18-vjeçar, i cili donte të mbronte nderin e familjes, por e kanë rrëmbyer me një makinë. Fati i mirë i adoleshentit ka qenë se banorët e zonës kanë parë gjithë skenën dhe kanë njoftuar policinë. Kështu, uniformat blu kanë mundur të gjejnë rrëmbyesit në një makinë, teksa udhëtonin pranë Urës së Farkës.

Sipas policisë, për këtë ngjarje është njoftuar në sallën operative rreth orës 14:00 të së mërkurës. Një banor i fshatit Petrelë ka deklaruar për policinë se disa persona kishin rrëmbyer me makinë një 18-vjeçar. Madje, telefonuesi ka treguar se disa prej tyre ishin larguar me makinën "Land Rover", me targë TR 3060 M, në të cilën ishte futur me dhunë edhe adoleshenti Klevis Kadiu. Menjëherë, shërbimet e policisë kanë vlerësuar këtë telefonatë dhe targën e makinës ua kanë dhënë gjithë shërbimeve të policisë. Sipas të dhënave, pa kaluar as gjysmë ore, makina është vënë re nga shërbimi i qarkullimit rrugor, pikërisht te vendi i quajtur Ura e Farkës. Uniformat blu të policisë rrugore i kanë bërë shenjë drejtuesit të mjetit të hapte krahun dhe kanë kërkuar dokumentet e makinës. Sipas të dhënave hetimore, mjeti drejtohej nga Endrit Qordja, 18 vjeç, i cili ia kishte marrë makinën të atit, Hysni Qordja. Ndërsa në vendin e parë të mjetit ndodhej Robert Luzi, 22 vjeç. Ky person u ka tërhequr vëmendjen dy punonjësve të policisë rrugore, pasi u ka deklaruar se ishte punonjës policie në Komisariatin Nr. 4. Më pas, ai është prezantuar duke nxjerrë edhe dokumentin e punës. Ndërsa në pjesën e pasme të makinës ndodhej Armando Disha, 24 vjeç, Ernaldo Matraxhi, 18 vjeç dhe pengu. Por, me gjithë këmbënguljen e punonjësit të policisë, shërbimet rrugore nuk e kanë lejuar makinën të shkonte më tej. Pa kaluar shumë kohë, ato janë përforcuar edhe nga shërbime të tjera të rendit, të cilat kanë bërë të mundur shoqërimin e pesë personave, bashkë me të rrëmbyerin, për në ambientet policore.

Kur është bërë i mundur lirimi i pengut, policia e ka marrë në pyetje atë, i cili ka treguar se katër personat që e shoqëronin janë ndihmuar edhe nga tre të tjerë. Në këto kushte, grupi hetimor ka identifikuar edhe bashkëpunëtorët, Florian Teqja, 17 vjeç, Klodian Çakmashi, 20 vjeç dhe Armando Durishti, 17 vjeç. Edhe këta tre persona janë shoqëruar në polici, duke u akuzuar për rrëmbimin e 18-vjeçarit Klevis Kadiu. Pasi janë shoqëruar të gjithë personat në komisariat, grupi i punës, i drejtuar nga krerët e Policisë së Tiranës, kanë nisur hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Nga të dhënat e para është mësuar se konflikti, fillimisht kishte ndodhur mes Kadiut dhe Florian Teqjas. Burimet policore thanë se ky i fundit i kishte ngacmuar motrën Kadiut, ndërsa 18-vjeçari duke e njohur Florianin i kishte kërkuar që të mos e kryente më një veprim të tillë. Në këto kushte, debati kishte kaluar në konflikt dhe Klevisi e kishte goditur. Por, Teqja ka thirrur për këtë ngjarje gjashtë persona të tjerë, me të cilët ka lidhje gjaku dhe shoqërie. Bashkë me ta kanë organizuar marrjen peng, duke e kërcënuar se do ta vrasin. Madje, nga dëshmia e Kadiut, kanosje i është bërë edhe në momentin që policia ka ndaluar makinën, si edhe gjatë shoqërimit në polici që të mos tregonte se çfarë kishte ndodhur.

Sikur të mos kishin mjaftuar gjithë këto veprime, punonjësit e policisë kanë mbetur të shtangur kur janë përballur edhe me kolegun e tyre. Nga hetimet mësohet se menjëherë është kërkuar edhe bashkëpunimi i Drejtorisë së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Madje, kjo drejtori ka kërkuar menjëherë arrestimin e këtij punonjësi policie, i cili nuk e ka pranuar akuzën dhe është shprehur se thjesht do të sqaroheshin për mirë me 18-vjeçarin. Megjithatë, për shtatë protagonistët e ngjarjes është vendosur arrestimi në flagrancë për veprat penale të heqjes së paligjshme të lirisë dhe kanosjes, të kryera në bashkëpunim.

Të arrestuarit

Robert Ferit Luzi, 22 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Shëngjergj, Tiranë, punonjës policie në Komisariatin Nr. 4

Armando Hasan Disha, 24 vjeç, banues në fshatin Shëngjergj, me arsim të mesëm, i padënuar

Ernaldo Bujar Matraxhi, 18 vjeç, banues në rrugën "Sadik Petrela", me arsim të mesëm, i pa dënuar

Florian Arben Teqja, 17 vjeç, banues në Mullet, me arsim të mesëm, i padënuar

Endrit Hysni Qordja, 18 vjeç, banues në rrugën "Ali Demi", me arsim të mesëm, i padënuar

Klodian Skënder Çakmashi, 20 vjeç, banues në Priskë, me arsim tetëvjeçar, i padënuar

Armando Shyqyri Durishti, 17 vjeç, banues në Mullet, me arsim tetëvjeçar, i padënuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›