Batuta e Berluskonit, Berisha: Ja historiku i shakasë së Silvios
TIRANE-Kryeministri Sali Berisha ka komentuar sot gjatë mbledhjes së grupit të Partisë Demokratike (PD) vizitën që kreu me delegacionin shqiptar në Itali duke e vlerësuar si të suksesshme në të gjitha drejtimet. Berisha ka justifikuar shakanë e kryeministrit italian Silvio Berluskoni duke theksuar historiku i shakasë ishte në të vërtetë thjesht një kompliment ndaj gazetareve shqiptare dhe se nuk duhet nënkuptuar për keq. “Kur po flisja për moratoriumin e skafeve, Berluskoni bëri një kompliment. Ne kishim në stafin tonë 3 gazetare të pashme. E vërteta është se Silvio bëri një kompliment drejt tyre, pasi në tërësi audienca ishte mashkullore dhe mund të them se këto vajza plot sharm nuk është se nuk binin në sy, ato spikasnin në audiencë. Por unë i ftova madje gazetaret, këto tre zonja të bënim një foto bashkarisht me kryeministrin. Ky është gjithë historiku i shakasë së tij”, tha Berisha. Reagimi i kryeministrit vjen pas publikimit në mediat ndërkombëtare takimin mes tij dhe Berluskonit javën e shkuar. Mediat u fokusuan tek batuta e Berluskonit drejtuar kryeminsitri Berisha që po fliste per moratoriumin e skafeve që Shqipëria ka vendosur për të ndalur emigracionin e paligjshëm. “Emigracioni klandestin? Lejohen vetëm po sollën vajza të bukura”, ia pret Berluskoni. Por, sot kryeministri Sali Berisha ka bërë të ditur se gjatë takimeve në Itali me prefektë dhe ministra kulmori ka qënë ai me kryeministrin Silvio Berluskoni. Kështu duke shfrytëzuar mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha u ndal tek vizitat që kreu në Itali duke e vlerësuar si të suksesshme vizitën në Itali, nga ku ka theksuar se investitorët italianë kanë shprehur interes të madh për investime në Shqipëri. “Vizita ime në Italinë mike do të kulmonte në takimin e kryeministrin Silvio Berluskoni. Takim i cili e bëri vizitën historike, ndonëse theksoj se e fundit që më shkon ndërment është të bëj histori. Ne firmosën një dokument, dokumenti i partneritetit strategjik me Republikën italiane”, tha Berisha. Ai shtoi se “dokumenti i partneritetit strategjik institucionalizon marrëdhëniet e shkëlqyera të deri sotme. Italia angazhohet të mbështes fuqishëm projektin evropian të kombit shqiptar: heqjen e vizave, statusin e vendit kandidat dhe integrimin”. Sipas Berishës, marrëveshja përbën një akt historik në marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona. Kryeministri ynë, theksoi se qeveria italiane mbështet fuqishëm vizionin e qeverisë shqiptare për kthimin e Shqipërisë në një fuqi të vogël energjetike rajonale. “Një nga shtyllat kryesore të këtij vizioni qëndron në faktin se Italia është një nga tregjet më të mëdha energjetike në Evropë. Ne ramë dakord të bashkëpunojmë në fushën e energjisë, si në ndërtimin e TEC-ve dhe HEC-ve dhe ndërtimin e kabllove nënujore”, tha më tej Berisha para deputetëve të partisë qeverisëse. (d.b/BalkanWeb)