E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëshqet kodra e Durrësit, panik ndër banorë

15/02/2010  Zbrazen lokalet dhe banesat, ranë qindra metër kub dhera. Situata zgjati disa orë
DURRES- Të gjitha shtëpitë e banimit në kabinat e plazhit në Currila, shtëpitë nën kodrën e Durrësi dhe lokalet buzë deti në pjesën perëndimore të qytetit janë braktisur nga banorë e klientë. Gjatë natës të së shtunës dhe mëngjesit të ditës së diel dhjetëra e qindra m3 baltë, masive me dhera, pemë dhe cungje kanë rënë nga kodra duke shkaktuar panik të madh. Shembjet në kodrën tërësisht të zhveshur përgjatë kodrës që shkon paralel me rrugën e Currilave janë të përvitshme, por dje situata ka qenë shumë problematike.
Rrëshqitjet
Rruga për në lagjen “Currila” është bllokuar e gjitha dhe që nga mëngjesi i djeshëm janë vënë në shërbim fadroma, mjete pastrimi dhe kamionë për të liruar rrugën. Drejtori i shërbimit komunal në Bashkinë e Durrësit, Ali Karaj, ka thënë se puna ka nisur që në mëngjes po rruga mund të bëhet e kalueshme vetëm ditën e hënë nëse nuk do të ketë të tjera rrëshqitje. Rruga thuajse nuk dallohet fare pasi dherat kanë rrëshqitur nga kodra drejt rërës. Banorët në Currila e kanë të pamundur të lëvizin dhe kjo ka shtyrë bashkinë të lirojë rrugën pasi familjarët janë gjetur të papërgatitur. Kodra në këtë pjesë është e zhveshur tërësish dhe terreni është shumë i thepisur, ndërsa reshjet e shumta të shiut kanë shkaktuar rrëshqitjen masive. Muret mbrojtëse me gurë dhe rrjeta apo edhe pritat e shumta nuk kanë mundur të ndalojnë rrëshqitjen. Një pjesë e këtyre mureve janë bërë me derdhje betoni të parashikuara për të përballua rrëshqitje të tilla. Por këtë herë balta ka kapërcyer të gjithë pritat e pragjet. Për shkak edhe të lartësisë nga ka rrjedhur ka depërtuar brenda në oborre e lokale dhe kjo është pasur me panik. Dje në këtë pjesë të bregdetit ku janë hapur dhjetëra lokale nuk ka pasur asnjë këmbë njeriu nga frika e bllokimit nga rrëshqitjet, të cilat kanë vazhduar pa ndërprerje për orë të tëra. Një pjesë e klientëve kanë braktisur në mesnatë tavolinat buzë deti sapo kanë mësuar se nga kodra e Durrësit kishte rrëshqitje masive, ndërsa dje për ditën e San Valentinos asnjë lokal nuk ka qenë i hapur duke djegur edhe prenotimet e bëra nga familjarë apo grupe të rinjsh. Të njëjtin fat kanë pasur edhe lokalet nën rrugë. Edhe ato janë mbyllur nga paniku dhe balta e madhe që ka kapërcyer drejt bregut të detit. Rruga që çdo ditë është tejet e mbushur, të dielën ka qenë fare bosh dhe në të kanë qarkulluar vetëm fadroma e kamionë. Të gjitha lokalet, shtëpitë përdhese apo edhe pallatet që nisin sapo kalon universitetin “Aleksandër Moisiu” dhe përfundojnë tek bërryli në Currila janë të rrezikuara dhe të pamundura për t’u banuar. Nuk është thënë asgjë zyrtarisht lidhur me përllogaritjet e dëmit që u është bërë pronarëve të lokaleve të shërbimit dhe shtëpive, por fare pak mundësi do të ketë kompensimi i tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›