Moti i keq me dëborë dhe shira, situata në vend
15/02/2010 Bllokohen komuna në Shkodër e Gjirokastër, përmbyten shtëpi në Fier
Reshjet e dëborës që vazhdojnë të bien pa ndërprerje në zonat e larta malore të qarkut të Shkodrës kanë krijuar probleme të shumta në qarkullimin e automjeteve, ndërkohë që ende ka komuna të bllokuara plotësisht. Komuna Iballë vijon të mbetet e bllokuar prej ditësh. Ndërkaq me vështirësi kalohet në rrugën Qafë Mali-Fierzë, ku trashësia e dëborës ka shkuar në 40 centimetra edhe pas heqjes së saj nga punonjësit e ndërmarrjes së rrugëve. Me vështirësi kalohet në aksin Qafë-Mali-Fierzë, ku ka jo vetëm borë, por edhe shtresa akulli të shkaktuara nga temperaturat tepër të ulëta të natës dhe mëngjesit të djeshëm. Mjetet e rënda nuk lejohen në qarkullim për shkak të garantimit të sigurisë në rrugë. Ndërkohë probleme në qarkullim ka edhe për zonën e Dukagjinit. Aktualisht, nga Shkodra për në Dukagjin kalohet vetëm nga ana e Malit të Shoshit. Në këtë aks kalohet me vështirësi dhe me zinxhirë. Ndërkohë në komunën Këlmend, fshati Vermosh dhe fshatrat përreth Gropave të Selcës vazhdojnë të mbeten të bllokuara nga pjesa tjetër e qarkut të Shkodrës. Po kështu Jugu i vendit është përfshirë nga pasditja e djeshme nga reshje të dendura dëbore. Burime nga Drejtoria e Policisë së qarkut të Gjirokastrës thanë për gazetën “Metropol”, se qarkullimi i automjeteve nga rruga e Qafës së Muzinës është vështirësuar. “Probleme më të mëdha janë shfaqur sidomos në akset rrugore rurale, që ndodhen mbi 600 metra mbi nivelin e detit”, shprehen burime. Komunat e Zagorisë në Gjirokastër dhe e Frashërit në Përmet janë bllokuar si pasojë e reshjeve të dëborës, që vazhdojnë të bien me intensitet. Ndërkohë në Fier raportohen rreth 500 ha tokë dhe rreth 100 shtëpi të përmbytura në komunë. Kështu 300 qytetar të komunës së Mbrostarit kanë protestuar sërish ditën e djeshme duke bllokuar aksin rrugor Fier- Lushnjë pikërisht në urën e lumit Seman.
“Gjanica” ka dalë sërish nga shtrati duke përmbytur tregun industrial të qytetit dhe disa shtëpi në lagjen “1 Maji”.