Batutat në takimet e delegacionit me Berishën dhe Ramën
Delegacioni i Këshillit të Europës ka ndjekur një strategji të efektshme në negociatat e zhvilluara dje. Në fillim ata kanë kryer bisedime bilaterale me Kryeministrin dhe liderin e opozitës, por qëllimi kryesor ka qenë marrja e një garancie për të qenë prezent në tryezën e pasdites në praninë e kreut të shtetit. Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të mbajtur menjëherë pas takimit që zgjati rreth dy orë me delegacionin e KiE, Berisha u shpreh se bashkëbisedimi ishte i hapur dhe i frytshëm. Sipas Berishës, gjatë takimit ai kishte shprehur edhe disponibilitetin për të trajtuar në mënyrë konstruktive të gjitha problemet që mund të ketë me opozitën. “Unë mendoj se takimi ishte një takim shumë i hapur, i gjerë, i frytshëm dhe shpreha në këtë takim disponibilitetin e plotë timin, të qeverisë, të koalicionit qeveritar për të trajtuar në mënyrën më serioze, më konstruktive të gjitha problemet bilaterale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor në Shqipëri”, theksoi Berisha. Nga ana tjetër, burimet bëjnë të ditur se delegacioni i KiE-s e ka përgëzuar Kryeministrin Berisha në lidhje me garancitë që ai jep për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet, në të cilin opozitës do t’i jepet shumica e anëtarëve. Sipas përfaqësuesve të KiE-s, ky zotim është edhe një përmbushje e kërkesës së rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të KiE-s për Shqipërinë. Mësohet gjithashtu se Kryeministri Berisha ka theksuar gjatë takimit pozicionin e tij fillestar, sipas të cilit ky është lëshimi më i madh që ai mund t’i bëjë opozitës. Të dërguarit e KiE-s kanë kërkuar zgjidhje duke diskutuar mbi opsione të tjera alternative. Sakaq, kryetari i Partisë Socialiste dhe 9 deputetë të grupit parlamentar pritën pasditen e djeshme delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Burime nga selia rozë bënë me dije se për 90 minuta është diskutuar rreth krizës politike në vend, rezolutës së KiE-s, si dhe kushteve dhe kërkesave të Partisë Socialiste. Rama, i shoqëruar nga Ruçi, Dade, Balla, Leskaj, Gjiknuri, Xhafaj, Bushati etj., ka shprehur përpara delegacionit të APKiE të gjitha pretendimet e tyre. Rama mësohet të ketë thënë se i vetmi problem që ka opozita janë kutitë e votimit dhe ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet me kujdes. Në këtë moment përfaqësuesit e KiE-s kanë thënë se nuk janë prononcuar në mbështetje të asnjërës palë. Kryesuesi i delegacionit ka sqaruar se kërkohet një zgjidhje dhe se nuk janë të interesuar të mbështesin apo sulmojnë asnjërën palë politike. Të dërguarit e KiE-s kanë lënë të pranueshme një zgjidhje që nënkupton hapjen e kutive të votimit. Por për të arritur deri aty, kanë thënë se duhet të thyhet bojkoti i deputetëve socialistë.
#