Nishani: Prokuroria nuk është ankuar për Apelin
Ministria e Drejtësisë nuk ka pasur asnjë lloj ankese nga Prokuroria e Apelit, nga strukturat e tjera apo nga qytetarë në lidhje me prishjen e vendimeve dhe moszbardhjen e tyre në kohë nga Gjykata e Apelit. Kreu i Drejtësisë, Bujar Nishani, në një prononcim për gazetën “Shqip”, tha dje se institucioni që ai drejton është duke ushtruar disa inspektime tematike në Prokurorinë e Elbasanit, por gjithmonë në kuadër të inspektimit tematik, për të cilat ligji i lejon. Konkluzionet e këtyre inspektimeve do t’i dërgohen për masë Prokurorisë së Përgjithshme, e cila do vendos nëse do të marrë masa për shkeljet e gjetura. Nishani siguroi se do të jetë i pranishëm në analizën e Gjykatës së Apelit. “Gjykata e Apelit është një gjykatë e cila përballon një fluks të madh dosjesh. Kam vlerësim maksimal për punën e saj”, deklaroi ministri i Drejtësisë.
I pyetur nga gazeta “Shqip”, nëse ministria mund të kontrollojë vendimet e Gjykatës së Apelit, ai tha se “Ministria e Drejtësisë nuk mund të kontrollojë vendimet e Apelit, por Gjykatat Superiore mund të kontrollojë vendimet e gjykatave të ulëta”. Më tej shtoi se i vetmi objekt i inspektimit është pjesa e administratës gjyqësore, respektimi i transparencës me publikun apo administrimi i dosjes. Sipas Nishanit, ministria dhe KLD-ja po ushtrojnë inspektime për administrimin gjyqësor.
ReagimiTrupa gjyqësore e Gjykatës së Apelit është mbledhur dje pas “akuzave” të prokurorisë të së njëjtit nivel. Nën kryesimin e kreut të Apelit, Metush Saraçi, gjyqtarët kanë rekomanduar që të merren masa ndaj këtyre akuzave, duke i cilësuar si të pabaza. Ndërkohë, në një deklaratë zyrtare, Gjykata e Apelit ka sqaruar dje se kreu i këtij institucioni ka zhvilluar një takim me nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiu, ku është diskutuar shtyrja e analizës vjetore të Apelit. Saraçi e ka sqaruar Spahiun se raporti për analizën vjetore të gjykatës që ai drejton ka mbërritur në KLD në datën 5 shkurt, pra tri ditë para se të zhvillohej analiza, ndërkohë që ishte nisur nga Apeli në datën dy shkurt. “KLD-ja është një organ kolegjial dhe vendimet merren me shumicë votash. Nuk ka asnjë të drejtë ligjore dhe kushtetuese që nënkryetari i KLD-së t’i japë vetes funksione që i takojnë KLD-së si organ kolegjial. Për fatin e mirë, në Gjykatën e Apelit Tiranë ndodhen edhe dy gjyqtarë që janë anëtarë të KLD-së, të cilët u shprehën se nuk kanë dijeni nëse do të merren masa ndaj kësaj gjykate”, thuhet në deklaratën e Apelit. “Raporti i analizës është dorëzuar pranë KLD-së në protokollin e këtij institucioni në datën 5 shkurt 2010. Analiza ishte për t’u zhvilluar në datën 8 shkurt. Dje, në datën 22 shkurt 2010, drejtuesi i Gjykatës së Apelit Tiranë, Metush Saraçi, u takua me nënkryetarin e KLD-së dhe në prani të kryeinspektores së KLD-së, Valbona Vata, dhe sekretares së tij, është konfirmuar se raporti ndodhej në këtë institucion që nga data 5 shkurt”, deklaron Gjykata e Apelit, duke përfunduar se shtyrja e analizës në datën 8 shkurt është bërë me një telefonatë të kryeinspektores së KLD-së, e cila ka thënë se analiza duhet shtyrë pasi ministri i Drejtësisë ndodhej në një impenjim tjetër.
#