E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bayerni e Marseille, vazhdojnë tutje

Bayern Munichu dhe Olympique Marseille e kanë nxjerrë nga një biletë për në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Bavarezët e përcollën në shtëpi me një goleadë prej 7:0 Baselin e Shaqirit dhe Xhakës. Kurse francezët, edhe pse humbën 2:1, e eliminuan Interin pas një ndeshjeje dramatike, falë peshës së golit të shënuar si mysafir.

Bayerni i Munichut dhe Olympique Marseille i janë bashkuar Barcelonës, Milanit, Benficës dhe APOEL-it në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Gjiganti gjerman e ka shkatërruar Baselin e Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës, duke e mposhtur me rezultat të thellë 7:0, në ndeshjen e kthimit të së tetës së finales së Ligës së Kampionëve.

Skuadra Bavareze ka qenë bindshëm më e mirë se kampioni zviceran. Të vetëdijshëm se ishin në deficit prej një goli, vendësit u vërsulën drejt portës zvicerane që nga fillimi.

Arjen Robben ka nivelizuar gjithçka duke e shënuar golin e parë në Allianz Arena në minutën e 10-të të takimit.

Thomas Muller i ka gëzuar për herë të dytë mikpritësit në minutën e 42-të takimit.

Ndërsa, më pas ka dalë në skenë sulmuesi gjerman Mario Gomez, i cili ka realizuar plot 4 gola, duke e shënuar emrin e tij në histori të këtij kompeticioni.

Golin e parë, Gomez e shënoi në minutën e 44-t, për të përmbyllur gjithçka rreth kualifikimit në çerekfinale.

Më pas, ai e shënoi golin e dytë personal, përkatësisht të katërtin për ekipin e Jupp Heynckes në minutën e 50-të.

Golashënuesi më i mirë i Bayernit në vitet e fundit e shënoi edhe një dygolësh të shpejtë në minutat 61 e 67, falë topave gjenialë që merrte nga Frank Ribery në formë.

Në minutën e 80-të, Robben e përmbylli goleadën, me golin e dytë personal. Merr fund këtu eksperienca evropiane për Baselin e Shaqirit dhe Xhakës, të cilët megjithatë mund të mburren me arritjen evropiane këtë sezon.

Në duelin tjetër, ekipi francez u kualifikua falë peshës që ka goli si mysafir. Nerazzurrëve nuk u kreu punë fitorja 2:1, pasi që pësonin humbje në takimin e parë, 1:0.

Për vendësit, golat i shënuan Diego Milito e Giampaolo Pazzini, derisa golin e ‘artë’ për udhëtuesit e realizoi Brandao.

Liga e Kampionëve

E teta e finales

Rezultatet

Bayern – Basel 7:0

Inter – Marseille 2:1

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›