E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anglia shpreson te ‘hasreti’ Chelsea

Pas eliminimit të hershëm të skuadrave nga Manchesteri, United e City dhe Arsenalit, Anglia shpreson që ‘hasreti’ i saj, Chelsea, ta vazhdojë rrugën në garat evropiane. Londinezët megjithatë do të kenë punë të vështirë të kalojnë në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, pasi kanë deficit prej dy golash nga ndeshja e parë me Napolin e Blerim Xhemajlit. Në duelin tjetër, Real Madridi synon ta kompletojë çerekfinalen, duke e eliminuar ekipin rus CSKA.

Me ndeshjet e sontme do të kompletohet çerekfinalja e Ligës së Kampionëve. Pa dyshim, ndeshja kryesore e natës do të jetë ajo ndërmjet Chelseas dhe Napolit të Blerim Xhemajlit.

Klubi londinez është i vetmi nga Anglia që ka mbetur në këtë garë, pas eliminimit të hershëm të dy skuadrave nga Manchesteri, United e City, si dhe së fundmi i Arsenalit. Ekipi i Roberto di Matteos ka punë të vështirë, pasi që i duhet ta përmbysë avantazhin prej dy golash, të cilin e siguroi ekipi italian në ndeshjen e parë në San Paolo, ku fitoi 3:1.

Blues që nga shkarkimi i Andre Villas-Boas kanë shënuar dy fitore, një në FA Cup e një në Premierligë, kështu që këtë rrugë synojnë ta bëjnë edhe sonte në misionin e tyre mjaft të vështirë. Në anën tjetër, ekipi napolitan vjen nga një formë e shkëlqyeshme, pas fitores 6:3 ndaj Cagliarit.

Londinezët i kanë humbur pothuajse të gjitha shpresat për ta fituar titullin në Premierligë, kështu që për të mos e pasur një sezon totalisht dështues, do t’i përdorin të gjitha forcat për ta eliminuar ekipin italian.

Vendësve do t’u konvenonte një fitore 2:0, kurse mysafirët do të udhëtojnë drejt Stamford Bridge me synimin që mos të vuajnë si skuadra tjetër italiane Milan ndaj Arsenalit. Në nëntë përballje ndaj ekipeve italiane, klubi londinez është rikthyer dy herë, pasi ishte në deficit prej dy golash nga ndeshja e parë.

Në rast se Chelsea eliminohet, kjo do të ishte hera e parë që skuadrat angleze nuk kualifikohen në çerekfinale që nga viti 1996, 16 sezone më parë, kur Blackburn Rovers qe eliminuar në të tetën e finales.

Në duelin tjetër do të përballen Real Madrid dhe CSKA Moscow. Pasi fituan në gjashtë ndeshjet e para të fazës së grupeve, madrilenët u ndalën në Rusinë e acartë duke barazuar 1:1 me CSKA Moskën.

Klubi rus nuk ka çka të humb dhe do të udhëtojë drejt Spanjës për ta vazhduar serinë e mirë ndaj skuadrave spanjolle. CSKA e kishte befasuar Barcelonën në udhëtim në vitin 1992, ndërsa kishte fituar edhe ndaj Sevillës si mysafir dy vjet më parë.

Në anën tjetër, skuadra e Jose Mourinhos, e cila është shkëputur në 10 pikë ndaj Barcelonës në La Liga, do ta kërkojë golin që në minutat e para për të qenë më e qetë në vazhdim të takimit.

‘Los Blancos’ do të mund të llogarisin edhe në të rikthyerin Karim Benzema, i cili ishte lënduar pikërisht në Rusi. ‘Los Merengues’ e kanë humbur vetëm një nga 20 ndeshjet e fundit në shtëpi në Ligën e Kampionëve, atë nga gjiganti katalunas sezonin e kaluar.

Liga e Kampionëve

E teta e finales

Sonte

Chelsea – Napoli

Real Madrid – CSKA

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›