E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baywatch Albania

Me dylbi, radiomarrëse, kuti të ndihmës së shpejtë! Një ditë në shoqërinë e baywatch-ëve shqiptarë, në bregdetin e Durrësit. Jurgeni, Ana dhe Xheka në gjurmët e serialit të famshëm amerikan, ku luan Davide Hasselhoff dhe Pamela Anderson, rrëfejnë jetët e shpëtuara të shpirtrave në rrezik. Operacionet e shpëtimit në det dhe adresimi i fëmijëve në shezlongun familjar, si veprojnë vrojtuesit detarë.

Dallgët e furishme tregojnë se deti nuk do të jetë edhe aq dashamirës me pushuesit në orët në vazhdim. Fëmijët janë zhytur thellë në gjirin e pamatë, pa u merakosur shumë për furinë shkumëzuese që shfaqet sakaq mbi kokat e shpupuritura nga kënaqësia dhe joshja ndjellëse. Janë minuta lirie. Për një fëmijë, besimi i dhënë nga prindërit do të thotë shumë. Ca çamarrokë e kanë shkelur kufirin e lejuar. Prindërit janë me sy nga deti. Ata kërkojnë në horizontin blu kokën e tyre. Kur nuk e shikojnë, lënë tavllën dhe rehatinë mënjanë dhe nuk përtojnë të çohen dhe t’i ngjiten buzës së detit, me vështrim qortues.

Në një ditë të vetme në hapësirën ujore të Adriatikut, në brigjet shqiptare rrezikojnë të mbyten mbi 20 njerëz, më të shumtit fëmijë që nuk njohin rrezikun që u kanoset. Katërfish më i lartë është numri i fëmijëve që humbin kontaktin me prindërit në plazh. Më të pavëmendshmit ndër pushuesit janë ata nga Kosova dhe Maqedonia që mësyjnë për herë të parë në brigjet e Adriatikut. Por prindërit nuk janë të vetëm. Ca syre të tjerë vëzhgojnë të përqendruar në kulla të larta vrojtimi. Ata janë baywatch-ët shqiptarë, ose shqip-shqip e thënë ndryshe, rojtarët e jetëve në rrezik, që me dylbi kundrojnë të gjithë hapësirën ujore detare, deri aty ku arrijnë të shkojnë shpirtrat e lirë të pushuesve.

Ana dhe Xheka, janë anëtare të Kryqit të Kuq. Prej një muaji, vajzat shërbejnë vullnetarisht në bregdetin e Durrësit, duke u ardhur në ndihmë pushuesve. Tamam-tamam roli i tyre është ai i Pamela Anderson, në rolin e J.C në serialin e famshëm amerikan “Baywatch”. Kështu u pëlqen edhe t’u thuash. Bashkë me Jurgenin, shpëtimtarin e shpirtrave në rrezik, ata janë baywatch-ët shqiptarë. Një vogëlushe ka humbur kontaktet me familjen. Vajzat baywatch mundohen ta qetësojnë, por fëmija që nuk duket të jetë më shumë se 4 vjeç, është e frikësuar. Ndjen se diçka i mungon.

Me gjithë përpjekjet e vajzave të ndihmës së shpejtë, vogëlushja nuk flet. Herë pas here bën me shenjë nga çadrat, gjë, që të lë të kuptosh se diku aty janë duke pushuar prindërit. Jurgeni, lë dylbitë mënjanë. Merr radion dhe lëshon sinjalin “SOS!”. Ai është një nga 7 baywatch-ët meshkuj, krahas 10 shpëtimtareve femra, që bën roje në bregdetin e Durrësit, gjatë periudhës së verës. Detyra e Jurgenit, Anës dhe Xhekas, është ajo e Miçit, C.J., Jenna dhe Carrie në serialin “Baywatch”. Tre shokët janë aty, në kullë, gati për të ndihmuar pushuesit në rrezik. “Këtu Kulla pranë Hotel A. Si më dëgjoni. Një fëmijë i seksit femër, ka humbur lidhjet me prindërit. Ka sy jeshile, mban veshur rroba banjo me topa me ngjyra të ndryshme, ka flokë kafe të lëshuara dhe nuk flet. Mendoj se prindërit janë me origjinë nga Kosova. Ju lutem njoftoni kullat e tjera. Marrje”. Për fat të mirë, babai i vogëlushes nuk vonon të ngjitet në Kullën e Vrojtimit. Vogëlushja është çelur në fytyrë sapo ka pikasur të atin të ngjitet me vrull në shkallë. Tri baywatch-ët e ndjejnë veten të lehtësuar. Misioni u përmbush me sukses. Jurgeni njofton sërish kullat se vajza e humbur rimori kontaktet me familjen. “Faleminers!”, është fjala më e bukur që nxjerr nga goja babai i vajzës 4-vjeçare. Jurgeni dhe koleget e tij nuk e fshehin kënaqësinë. Ata e dashurojnë këtë punë. Ai një djalë me trup të mbushur notari dhe ato të imëta, por të zhdërvjellëta në aksione, plotësojnë një trio të çuditshme shpëtimtarësh. Mosha e tyre nuk ta mbush fort syrin, por puna flet vetë. Xheka dhe Ana, dy vajzat baywatch, sikurse Jurgeni, janë stërvitur dy muaj për të dhënë ndihmën e shpejtë. Ndryshe nga simpatiket e serialit të famshëm amerikan, vajzat shpëtimtare në bregdetin e Durrësit, kanë një detyrë disi më ndryshe. Misioni i tyre nuk është shpëtimi në det, por ndihma e parë në tokë. Vajzat janë trajnuar të bëjnë frymëmarrje artificiale, të shtojnë me duar rrahjet e zemrës, të mjekojnë plagë të lehta, si edhe të bisedojnë ose të kërkojnë fëmijë në rast të shkëputjeve të lidhjeve me familjet. Deri më tani, kur sezoni i verës ka arritur në pikun e tij, vajzat së bashku me Jurgenin ia kanë arritur me sukses qëllimit. Në një ditë të vetme ato arrijnë të adresojnë në gjirin familjar të paktën 5 fëmijë. Gjatë kësaj kohe, Ana dhe Xheka, kanë mësuar më së miri se si të bisedojnë me fëmijët në momente të vështira; të kuptojnë psikologjinë e tyre, ankthin dhe pasigurinë që i shoqëron kur shkëputen nga gjiri familjar. Më i qetë është në këtë aspekt Jurgeni. Misioni i tij i pamundur është deti. Deri tani thotë se ka shpëtuar dy jetë njerëzish në rrezik. Nuk janë pak. Sezoni i verës nuk do të vonojë të përfundojë, por Jurgeni thotë se do të donte të ishte baywatch edhe në sezonin e ardhshëm. Si Mitchi? Pse jo. Ai i ka të gjitha mundësitë. Është vetëm 16 vjeç dhe ka një staturë fizike me të vërtetë të admirueshme, që jep siguri te pushuesit.

Në vijën bregdetare të Durrësit, janë të vendosura 7 Kulla Vrojtimi. Ato janë të larta 5 metra dhe për t’u ngjitur aty duhet të ngjisësh me siguri 30 shkallë. Kullat janë të vendosura çdo 2 kilometra, në pozicionet strategjike ku ka më shumë pushues. Në ndërtim, krahas 7 Kullave të para, janë edhe 2 të tjera që do të plotësojnë nevojën për ruajtjen e sigurisë në det. Në çdo kullë janë të vendosur 3 baywatch, një djalë dhe dy vajza vullnetare, të cilat shërbejnë pranë Kryqit të Kuq shqiptar. baywatch-ët janë të pajisur me të gjithë pajisjet e shpëtimit. Për të shpëtuar njerëzit në det, ata kanë në përdorim edhe një motobarkë, e cila vihet në punë në momentin që lëshohet sinjali “SOS!” nga Kulla e Vrojtimit. Për të kryer vëzhgimin ujor Jurgeni, personazhi ynë, është i pajisur me dylbi, me radiomarrëse si edhe me gomën shpëtuese, që përdoret për t’u ardhur në ndihmë personave të rrezikuar në det. Të pajisur më së miri janë edhe vajzat baywatch-e. Për çdo rast emergjence ato mbajnë me vete Kutinë e Ndihmës së Shpejtë. Në këtë kuti ka fasho dhe jod, mjete të domosdoshme këto për të dhënë ndihmën e parë. Ana dhe Xheka, thonë se në raste kur plagët janë më të rënda se mundësia që ata kanë për të ndihmuar pushuesit, atëherë njoftohet shërbimi i Urgjencës.

Shpëtimtari i shpirtrave në rrezik

Ka trup të mbushur, dhe për ata që marrin vesh sadopak nga sporti, është e lehtësisht e kuptueshme se ky djalë që në pamje nuk të jep më shumë se 15 vjeç, merret me not. Dhe përshtypja e parë nuk na lë të gabojmë. Jurgeni është tamam ashtu si e kishim menduar: notar profesionist. Kjo është edhe arsyeja se përse Bashkia e Durrësit e ka zgjedhur djaloshin midis 7 baywatch-ëve meshkuj të pëlqyer, për të patrulluar bregdetin e Adriatikut në këto ditë të nxehta vere. Me kostum të kuq, për të qenë i dallueshëm nga pushuesit e tjerë, Jurgenin mund ta gjesh në Kullë nga mëngjesi në mbrëmje, shpeshherë duke bërë shaka edhe me kureshtarët poshtë Kullës.

Kur keni filluar të angazhoheni si baywatch?

Kam gati dy muaj që merrem me sigurinë e pushuesve në bregdetin e Durrësit. Para se të më punësonin si baywatch, jam trajnuar për dy muaj për të qenë i tillë nga Bashkia e Durrësit. Them se më pëlqen kjo detyrë dhe e ndjej shumë përgjegjësinë.

Cili është Jurgeni në jetën e përditshme?

Unë jam nxënës në vitin e dytë në shkollën e mesme të përgjithshme “Gjergj Kastrioti” në qytetin e Durrësit. Por krahas kësaj, jam edhe notar në ekipin e qytetit prej pesë vitesh. Kjo është edhe arsyeja përse jam përzgjedhur si baywatch.

Çfarë kriteresh duhet të plotësojë një person për të qenë baywatch?

E para, është që duhet të dijë not shumë mirë. Pa këtë përparësi, as që bëhet fjalë të marrë një detyrë të tillë. Tjetra është që duhet të jetë vigjilent në çdo moment, të dijë si të veprojë në situata të ndërlikuara.

Sa persona keni shpëtuar deri tani?

Deri më tani, kam shpëtuar 2 persona që kanë qenë në rrezik mbytje. Unë nuk jam vetëm në këtë punë. Kam edhe ndihmën e personave të tjerë, të cilët në rast rreziku i njoftoj me anë të radiomarrëses.

Si veproni për të shpëtuar një person në rrezik?

Nisem nga Kulla dhe me vete lidh gomën shpëtuese. Për mjet shpëtimi ne përdorim edhe motobarkën. Unë shkoj me not deri në vendin e ngjarjes, kurse motobarka vjen në anë për të marrë personin e rrezikuar?

Sa është numri i fëmijëve që humbin në një ditë në plazhin e Durrësit?

Vetëm në Kullën ku unë jam i përqendruar, paraqiten në ditë të paktën 5 fëmijë që kanë humbur lidhjet me familjen. Në këtë rast, menjëherë sapo konstatojmë problemin e marrim fëmijën në Kullë dhe e mbajmë aty derisa të gjendet prindi. Për të arritur sa më shpejt gjetjen e familjarëve, njoftojmë me radiomarrëse kullat e tjera që janë në bregdet. Ajo që dua të theksoj është që edhe vetë prindërit janë të ndërgjegjësuar për rolin e baywatch-ve. Kur humbasin fëmijët, ata vijnë vetë në kullë për të lajmëruar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›