E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superkupa është e Dinamos, Daliç e nis me trofe

Kampionët në fuqi dominojnë në ndeshjen me Vllazninë dhe fitojnë pastër 2-0

Dinamo ka fituar Superkupën e dytë në historinë e saj pas më shumë se një dekade mungesë. Djemtë e drejtuar nga trajneri kroat, Zllatko Daliç, kanë diskutuar një ndeshje perfekte në të gjithë aspektet. Edhe pse Vllaznia vinte pas një takimi tepër impenjativ në mesjavë ndaj Napolit në Kupën UEFA, mirëvendosja e bluve në fushën e blertë nuk u ka dhënë asnjë shans të besuarve të trajnerit Agim Canaj. Edhe pse kroati i stolit blu 24 përpara takimit komentonte disa probleme të skuadrës së tij dhe nxirrte indirekt skuadrën kuqeblu si favorite të Superkuës, 90 minutat e djeshme në "Qemal Stafa" kanë treguar një Dinamo shumë të fortë, e cila i ka nxjerrë që tani "dhëmbët" e saj, duke qenë një rivale tepër e fortë për titullin kampion. Blutë kanë nisur menjëherë në sulm ku sulmuesi Petriçeviç, lojtari i premtuar nga trajneri Daliç, ka zhvilluar një ndeshje shumë të mirë, duke arsyetuar besimin e trajnerit të tij. Në minutën e 17-të numri 25 i bluve ka shënuar një gol "nuhatës", teksa ka përfituar nga një gjuajtje e Ferrajt, e grushtuar nga Bishani, dhe ka kaluar Dinamon në avantazh. Shkodranët janë munduar shumë të penetrojnë në prapavijën blu, por aksionet e tyre hasin probleme që me "bllokun" e mesfushës blu të formuar nga Allmuça-Çapja-Poçi, të cilët janë në një ditë shumë të mirë. Ndërkohë, futbollisti me ngjyrë Bound është tepër kërkues në lojën e tij dhe vetëm në një moment i ka shpëtuar markimit perfekt të Brahjës, duke shërbyer për Sukajn, që nuk shënon. Më pas Dinamo do të diktojë të gjithë takimin dhe shkodranët, mbase të lodhur nga impenjimi europian, mundohen me ndonjë tentativë sporadike me anë të Sukajt nga jashtë zone, por vetëm kaq. Canaj luan "kartat" e tij, duke aktivizuar dhe Sinanin, Likën dhe Hotin, por blutë do të gjejnë dhe golin e dytë me anë të Jusufit, por meritat e këtij aksion sigurisht shkojnë për mesfushorin Allmuça, i cili ka shërbyer mjaft mirë për sulmuesin maqedonas me pasaportë kroate. Ndeshja e djeshme demonstroi qartë punën e mirë dhe mentalitetin e injektuar në skuadër nga ana e kroatit Daliç. Ndërkohë, ardhjet e reja, Sina, Jusufi, Çapja, Brahja dhe Petriçeviç, janë ambientuar shumë mirë me grupin. Në fund kapiteni Pisha ka ngritur në "qiellin blu" Superkupën e Shqipërisë. Data 17 është me shumë fat për Dinamon, pasi si më 17 maj, kur kapiteni ngriti trofeun e titullit kampion, tashmë më 17 gusht blutë u janë gëzuar një tjetër trofeu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›