Analistët: Kontesti me Greqinë, rrezik për tensione ndëretnike
Moszgjidhja e kontestit për emrin me Greqinë mund të shkaktojë tensione brenda Maqedonisë, pasi shqiptarët nuk pajtohen me mbetjen e tyre jashtë proceseve integruese evropiane, vlerësojnë analistët shqiptarë në Shkup
Duke marrë në konsideratë qëndrimet e deritanishme kundërshtuese mes dy palëve dhe pamundësisë për arritjen e kompromisit, mund të paraqitet situatë e re brenda vetë Maqedonisë apo kundërshtime mes dy bashkësive etnike më të mëdha - shqiptarëve, që dëshirojnë integrimin, dhe zyrtarëve qeveritarë maqedonas, të cilët çdo ditë e më tepër po dëshmojnë se nuk duan një gjë të tillë. Kështu vlerëson Mersel Bilalli, njohës i zhvillimeve ndërkombëtare dhe Këshilltar për Politikë të Jashtme në Qeverinë e ish-kryeministrit Vllado Buçkovski. "Unë mendoj se këto dy muajt e ardhshëm do të bëhen tentimet e fundit nga ana e SHBA-ve për realizimin e fundit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, megjithatë, kjo do të jetë vetëm pjesë e dëshirës së tyre. Unë nuk jam i bindur se pushteti aktual i Maqedonisë ka disponim për zgjidhjen e problemit me Greqinë dhe për pasojë, muajt e ardhshëm me siguri se do të ndeshemi me situata pak më të kthjellëta".
"Pra, nëse zgjat procesi i refuzimit, atëherë në Maqedoni do të imponohet një mendim tjetër fare, i cili mund të jetë kundërshtues, në radhë të parë, mes dy bashkësive etnike dhe kjo do të hapë një proces tepër të dëmshëm për Maqedoninë",- tha Mersel Bilalli. Ai mendon se arritjen e zgjidhjes së pranueshme e bën të pamundur edhe pozicioni i skajshëm i palës maqedonase, e cila, së fundi, ka insistuar që në negociata të përfshihet edhe njohja e Kishës Ortodokse nga pala greke. "Qeveria maqedonase ose ka ndonjë alternativë tjetër, e cila për mua është diametralisht në kundërshtim me interesat vitale të Maqedonisë, ose aspiratat për të qenë në pushtet janë shumë më të fuqishme dhe metodat populiste nuk i mundësojnë asaj të gjejë zgjidhje",- thekson Bilalli. Sa i përket njoftimeve në shtypin grek se ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimiç, ka dalë me propozimin - Maqedonia Veriore në disa variante - zoti Bilalli thotë se kjo nuk është gjë tjetër pos përpjekje e Athinës që në forma të ndryshme të pamundësojë arritjen e marrëveshjes. Duke iu rikthyer pozicionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në raport me kontestin për çështjen e emrit dhe bllokimin e Maqedonisë për anëtarësim në NATO, zoti Bilalli thotë se është i drejtë vlerësimi i fundit i Sekretares Amerikane të Shtetit, Condoleezza Rice, se çështja e emrit nuk mund të jetë kusht për anëtarësim në NATO. "Mesazhi i kësaj deklarate është se, megjithatë, është bërë shkelje e parimeve të NATO-s. Përkundër kësaj, unë mendoj se nuk mund të ketë zgjidhje tjetër jashtë zgjidhjes së problemit të emrit. Realisht, ky është edhe konkluzion i Samitit të Bukureshtit",- përfundoi Mersel Bilalli. Ndërkohë, detajet e bisedimeve të fundit mes delegacionit të Shkupit dhe Athinës do të publikohen pas kthimit nga Nju Jorku të delegacionit maqedonas.