E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strukturat paralele sfidojnë institucionet e Kosovës

Strukturat paralele në Veri, sfidojnë institucionet dhe ndërmarrjet publike të Kosovës Strukturat paralele serbe vazhdojnë t'i sfidojnë institucionet dhe ndërmarrjet publike të Kosovës gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre. Si formë e kundërshtimit dhe të neglizhencës ndaj institucioneve shtetërore, serbët në veri të qytetit të Mitrovicës kanë krijuar institucionet dhe shërbimet e veta paralele në fushat si arsim, shëndetësi, energjetikë e të tjera, e të cilat funksionojnë jashtë autoritetit të shtetit të Kosovës.

Një shembull për këtë janë edhe automjetet serbe, të cilat gjatë qarkullimit në Veri mbajnë targat me shkurtesat e qyteteve të Kosovës, të cilat përdoreshin gjatë periudhës së paraluftës, ndërkohë që gjatë qarkullimit nëpër territorin e Kosovës këto targa i zëvendësojnë me ato që mbajnë shkurtesën “KS”. Policia e Kosovës në Mitrovicë kërkon mbështetjen e pushtetit lokal për t'i detyruar vozitësit serbë t'i përdorin targat zyrtare të Republikës së Kosovës, të cilat pritet të lëshohen kah mesi i muajit shtator. Zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, thotë: "Atë çfarë ne si polici duhet të kërkojmë, është pikërisht gjetja e formave dhe e mënyrave se si të bëjmë të realizueshme këtë punë sa më lehtë që është e mundshme. Ju e dini që ka pasur “X” raste kur ne kemi tentuar t'i implementojmë targat KS, e që ka pasur një vështirësi mjaft të madhe".

Përveç problemit të kontrollimit të automjeteve që kalojnë përgjatë urës së lumit Ibër, problem tjetër shqetësues për institucionet kosovare është edhe inkasimi i të hollave dhe borxheve për shpenzimet e energjisë elektrike ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës.

Zëvendësministri i Energjetikës dhe Minierave të Kosovës, Blerim Rexha, thotë se inkasimi në pjesën veriore të Mitrovicës nuk mund të bëhet për shkak të dy problemeve: problemit politik dhe atij teknik. “Aty janë dy probleme - është problemi politik dhe mbi të gjitha është problemi teknik, që nuk mund të bëjmë shkyçje kolektive. Gjithsesi duhet të jemi realë se nuk do ta kemi lehtë dhe nuk do të kemi përkrahje siç kemi në pjesë të tjera, mirëpo ata janë konsumatorë të KEK-ut, janë borxhlinjtë e KEK-ut. Dikush, ose ata duhet të paguajnë energjinë, të cilën e shfrytëzojnë",- thotë Rexha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›