Baza e Korçës i kërkon llogari Ramës për humbjen
Në turin e tyre nëpër rrethe, Edi Rama dhe Maqo Lakrori kanë hasur një publik të vërtetë dhe aspak dekorativ në qytetin e Korçës, ku kreut aktual të PS-së socialistët i kanë kërkuar llogari për humbjen e zgjedhjeve. Në qytetin ku është deputet prej disa mandatesh, një nga kundërshtarët më të fortë aktualisht në PS, Ben Blushi, Rama ka hasur rezistencë në bazën e thjeshtë. Shumë socialistë kanë bërë pyetje për mënyrën e të bërit opozitë, pse nuk u largua nga drejtimi i partisë kur humbi zgjedhjet dhe a do ta dëgjojë këshillën e ndërkombëtarëve për të hequr dorë nga bojkoti? Sipas burimeve nga kjo konferencë, Rama është treaguar i tensionuar dhe herë pas herë ka ironizuar me ata që e pyesnin. Problemi kryesor që shqetëson në këto ditë socialistët është dhe bojkoti që po i bëjnë 65 deputetët e saj Parlamentit. I pyetur se nëse do të ndërpresë këtë vendim, nëse ia kërkojnë ndërkombëtarët, Rama ka lënë të kuptohet se qëndrimi i tij nuk ndikohet nga asgjë tjetër. “Liritë e të drejtat tona janë të panegociueshme dhe do të luftojmë për t’i fituar”, - mësohet të ketë thënë Rama, i cili ka argumentuar se raporti më i fundit i OSBE/ODIHR-it ka mbështetur pretendimet e opozitës, pasi ka vërejtur se në 1/3 e qendrave të numërimit ka pasur probleme. Ndërkohë ai s’ka preferuar të bëjë komente, kur nga salla i kanë kujtuar votimin 7 me 0 për rezultatin e zgjedhjeve, ndërkohë që PS pretendon se ky rezultat është i manipuluar. Rama nuk ka humbur rast të shajë paraardhësin e tij në parti, Fatos Nanon, duke thënë se dy herë që ka dalë para mediave, ka dalë për të dëmtuar PS-në.
Por ndërkohë që me “alibinë” e zgjedhjeve të manipuluara, megjithëse ato u certifikuan si zgjedhjet më të mira, Rama nuk u shpëton dot pyetjeve të bazës për shkelje të statutit. Sipas statutit, ai duhej të largohen në rast të humbjes së zgjedhjeve, por Rama i pyetur për këtë gjë e ka lexuar ndryshe pikën që flitet për këtë gjë. “Neni për ndërprerjen e mandatit të kryetarit të PS është vendosur në statut në bazë të propozimit tim. Në rast se unë do të besoja qoftë edhe 1 për qind se në 28 qershor u votua lirisht dhe rezultati që doli është vendimi i sovranit, nuk do të isha këtu sot për të kërkuar mandat të ri”, - ka thënë ai. Në këtë mënyrë, nuk ka dhënë përgjigje nëse do të largohet pas 4 vitesh, nëse do të humbasë zgjedhjet e tjera. Ndërsa kandidati tjetër, Maqo Lakrori, i cili duket se nuk ka ndonjë shans të fitojë vota në këtë garë, i ka dhënë një mësim të mirë Ramës në krah të tij. Ai ka thënë se “kam bindjen se nëse do të zbatohet platforma ime, fitorja është e garantuar në zgjedhje të tjera. Nëse ndodh e kundërta, unë shprehem që sot, që do të jap dorëheqjen mbasi do të kem dështuar në projektin tim”.