Edi Rama e Spartak Ngjela, takim kokë më kokë
Edi Rama akuzon nga mëngjesi në darkë Ilir Metën për koalicionin me të djathtën për krijimin e qeverisë së re, por nuk e ka për gjë që të bëjë takime të fshehta me ish-eksponentë të së djathtës, që kanë mbetur tashmë jashtë Parlamentit. Takimi me Nard Ndokën e PDK-së nuk bëri aq bujë, por ai i djeshmi mes tij dhe Spartak Ngjelës nuk mund të kalonte pa tërhequr vëmendjen e opinionit. Avokat Ngjela, siç e thërrasin ndryshe, është një mbrojtës i flaktë i tezave të djathta dhe ka qenë rival i fortë i Ramës në vitin 2003, në garën për kryetar bashkie. Por dje ata të dy kanë pirë ndoshta kafen e parë së bashku pas shumë e shumë vitesh angazhimi në politikë. Dhe në këtë kafe, që ka qenë kokë më kokë, natyrisht nuk kanë diskutuar me nostalgji për kohët e vjetra, kur ishin miq dhe kur krijuan së bashku partinë me emrin më të çuditshëm, Kristian-Islamike, KIS. Pas kaq vitesh që kanë ecur në hulli të ndryshme të politikës, njëri në të majtë e tjetri në të djathtë dhe kanë humbur gjithashtu zgjedhjet e 28 qershorit, diçka tjetër i ka bashkuar, ndoshta një aleancë e re, duke pasur parasysh të përbashkëtat që i bashkojnë në këto kohë. Kanë të dy kundërshtar Sali Berishën dhe që të dy kanë pretendime për standardet e zgjedhjeve të fundit. Ngjela aktualisht drejton partinë “Ligj e drejtësi”, e cila nuk mori numrin e votave që do të bënin deputet kryetarin e saj, ish-deputet i PD-së në 2005-n.
Takimi mes tyre u mbajt dje gjatë paradites, pak metra larg godinës së Kryeministrisë në një bar dhe biseda zgjati rreth një orë. Por që të dy politikanët u rezervuan në përgjigjet për temën e bisedës, duke veshur me mister atë çfarë po kërkon të bëjë Rama me pjesën e së djathtës që mbeti jashtë Kuvendit në qershor.
Në fund të takimit, kryetari në detyrë nuk ka pranuar t’i përgjigjet pyetjes së mediave mbi qëllimin e takimit dhe është larguar në heshtje, ndërsa avokati Ngjela ka zgjedhur të mos shfaqet në media dhe është larguar nga një dalje tjetër. Gjithsesi, Ngjela ka mbështetur në deklarimet e tij publike qëndrimin e kryetarit në detyrë të Partisë Socialiste, për rihapjen e kutive të 28 qershorit, ndërsa ka shtuar më tej se nëse rezultati brenda tyre mbetet i njëjtë, atëherë ata që e kundërshtojnë atë duhet të ndryshojnë qëndrim.
Nuk dihet se çfarë aleancash do të shohim në një të ardhme të afërt, por takimet e Ramës me Ndokën e Ngjelën po shtrojnë rrugën për diku.