Zjarret në Greqi, Rama: Trishtim për situatën, solidaritet me popullin grek

Situata dramatike me zjarret në Greqi, ka qenë në fokus të një reagimi të martën nga kryeministri, Edi Rama. Nëpërmjet një postimi në rrjetin social X (Twitter) Rama shprehet se populli grek meriton solidaritet.
“Është shumë e trishtueshme të shikosh vendin tonë të bukur fqinj që vuan vazhdimisht nga zjarret, ndërsa populli i guximshëm grek dhe të gjithë ata në uniformë që luftojnë kundër shkatërrimeve të tilla meritojnë solidaritetin tonë të plotë dhe admirimin e thellë.”,- shkruan Rama në X.
Mbi 60 zjarre janë ende aktive gjatë 24 orëve të fundit në Greqi. Rreth 120 zjarrfikës nga Qiproja, Rumania, Republika e Çekisë, Kroacia, Gjermania dhe Serbia, do të shkojnë në Greqi për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve, njoftoi Departamenti i Zjarrfikësve.
/rtsh.al/