Baze: "Berisha ia ka dhuruar pushtetin të majtës"

Analisti dhe botuesi i gazetës "Tema", Mero Baze i ftuar në Ora News foli për zhvillimet e fundme politike dhe për pozicionin e partive politike kryesore në zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, Berisha me ngjarjen e Gërdecit dhe korrupsionin e pafund që ka karakterizuar këtë qeveri ka vënë në duart e Ramës pushtetin. "E majta në tërësi i fiton zgjedhjet. Pikëpyetja më e madhe është se si Rama do e menaxhojë këtë parti politikisht pasi aktualisht Rama është mbret i së majtës", deklaroi Mero Baze. Ai e konsideroi vitin që lamë pas si një vit tronditës. "Ngjarja më dramatike e vitit që lamë pas ishin ndryshimet kushtetuese. Tashmë i gjithë pushteti është përqendruar në duart e kryeministrit. Kemi marrë gjëra të veçanta nga sisteme politike të vendeve të ndyshme që i gjithë pushteti të jetë në duart e kryeministrit", u shpreh Baze. Sipas drejtuesit të gazetës "Tema" zgjedhjet e 2009-ës janë test për të votëbesuar një Shqipëri që po synon të hyjë në BE, por duhet të garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sipas tij "Me sitemin e ri zgjedhor deputetët nuk do punojnë më për emrin e tyre, sepse fati i tyre do vendoset nga kryetari i partisë". Sa i përket ndryshimeve që duhet të bëjë kryeministri për të garantuar sa më shumë vota në zgjedhje, Baze nënvizoi se "Berisha ka pak kohë për të bërë ndyshime në qeverisje për shkak se tashmë kjo qeveri është identifikuar me një varg skandalesh korrupsioni". Sipas analistit"Berisha si opozitë kryesore deri në zgjedhje ka drejtësinë. Ai duhet të largohet nga lufta me drejtësinë dhe të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme". Sa i përket pozicionit të LSI-së në zgjedhjet e ardhshme sipas Bazes, hapësira politike e kësaj partie është ngushtuar. "Nëse mban atë nivel politik të 2005-ës do jetë parti parlamentare, nëse e kalon atë prag atëherë do diktojë qeverisjen e së majtës", shtoi Baze. Lidhur me incidentin e disa ditëve më para, ku analisitit iu dogj makina, vetë Baze fajësoi kryeministrin. "Kryeministri në vend që të dënonte agresorët më dënoi mua duke më quajtur vartës së PS-së dhe kjo më bën të besoj se pas ngjarjes qëndron kryeministri", përfundoi Baze.