E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bazilika e Arapajt botohet monografia 25 pas zbulimit

Plot 25 vjet pas zbulimit përfundimtar të mozaikut të Bazilikës së Arapajt në Durrës, akademia austriake e shkencave ka vendosur botimin e monografisë së këtij zbulimi me autoret Hava dhe Sali Hidri. Të dy bashkëshortët arkeologë shprehen të kënaqur me këtë botim të akademisë austriake, pasi zbulimi i kësaj bazilike është një punë e mirëfilltë historike me metoda shkencore.

“Ne e quajmë një eveniment të jetës sonë, por njëkohësisht besoj se Bazilika e Arapajt, e cila ka angazhuar shumë forca është një nderim për gjithë forcat krijuese dhe për gjithë forcat që bënë të mundur daljen në dritë, zbulimin, studimin dhe reklamimin e Bazilikës së Arapajt”-thotë Sali Hidri, doktor i shkencave, bashkëautor i zbulimit.

Profesorja Hava Hidri ka theksuar tre etapa të këtij zbulimi si dhe faktin që burimet e shkruara nga Ana Komnena në veprën “Aleksiada” përputheshin plotësisht me të dhënat gojore, burimet historike, toponiminë e zonës etj.

“Në fazën e parë, si burime kryesore kanë qenë burimet historike të veprën së Ana Komnenës “Aleksiada”. Element tjetër shumë i rëndësishëm ishin të dhënat toponimike. Jemi shumë krenarë se nuk është ndërhyrë fare në materialin tonë. Prospekti i parë ka qëndruar plotësisht. Literatura është po ajo e mbështetur dhe i gjithë materiali me skica dhe foto janë të gjitha shumë përfaqësuese”-thotë zonja Hidri.  

Për fat të keq, ky mozaik i rralle nuk është i vizitueshëm për turistët e huaj që vijnë nga vende të ndryshme të boteës. Ai gjendet vetëm 6 km larg qytetit të Durrësit, në afërsi të plazhit Iliria, ndërsa reklamimi për këtë vepër me vlera arkeologjike dhe historike ka munguar vitet e fundit.

Aleks Kalemasi                                                 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›