E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova nderon vepren e deputetes Nekibe Kelmendi

Drejtuesit e institucioneve të Kosovës kanë vlerësuar lart personalitetin dhe veprën e deputetes Nekibe Kelmendi, e cila ndërroi jetë të dielën në Prishtinë pas një sëmundje të rëndë.  Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se Klemendi do të mbetet e paharruar.

”E nderuara zonja Nekibe Kelmendi gjithë jetën e saj u angazhua për të mirën e qytetarëve, për liritë dhe të drejtat e njeriut, për sundim të ligjit, për shtet ndërtim dhe për krijim e funksionim të institucioneve demokratike””-tha Jahjaga.

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një mbledhje përkujtimore për deputeten Kelmendi.

“Nekibe Kelmendi do të kujtohet për kontributin që ka lënë në shumë fusha për angazhimet e saj jetësore”-u shpreh kryetari Jakup Krasniqi.

Nekibe Kelmendi ishte një ndër avokatet e para shqiptare e cila së bashku me bashkëshortin e saj Bajram Kelmendi denoncoi dhunën dhe arrestimet politike të kryera gjatë viteve ‘90 nga pushteti serb. Kelmendi ishte ndër themeluesit e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut si dhe një ndër themelueset e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

”Lidhja Demokratike e Kosovës humbi njërën nga veprimtaren më të spikatura të saj, e cila  që nga themelimi , pa marrë parasysh opozitën që kishte si anëtare e kryesisë apo nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, punoi me përkushtimin  më të madh për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës”- tha kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

Në qeverinë e kaluar të Kosovës, Nekibe Kelmendi ishte ministre e Drejtësisë ndërsa ushtronte edhe postin e nënkryetares Lidhjes Demokratike të Kosovës. Gjatë luftës, ajo përjetoi tragjedinë e humbjes së bashkëshortit dhe dy djemve të saj të cilët u vranë nga forcat serbe në ditën e parë pas fillimit të bombardimeve.

Sala Mustafa

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›