E Diel, 1 Nëntor 2026

Beatrice Durfort: Gjurmët e barbarisë komuniste në Voskopojë

 

KORCE- Në vitin 2001, një zonjë franceze vizitoi për herë të parë Voskopojën. E kishte përfytyruar si qendër të vjetër pasurish kulturore e historike. Kishte lexuar se në shekujt XVII dhe XVIII ishte një nga qytetet më në lulëzim të Ballkanit, qytet që tërhiqte intelektualët, artistët dhe tregtarët. Por ajo gjeti një fshat me emrin Voskopojë, ku mezi mbijetonin vetëm pesë kisha dhe një manastir të ruajtura në një gjendje shumë shqetësuese. Ja si e kujton Beatrice de Durfort, presidente e shoqatës "Trashëgimi pa kufij" atë ditë pranvere: "Bota e kafshëve kishte gjetur strehë në këto kisha. Analizat e mikroorganizmave të bëra nga Laboratori Kërkimor i Monumenteve Historike do të na bindnin për këtë gjë. Këtyre agresioneve iu shtohen edhe lotimet e mureve, algat që shumohen çdo ditë, rëniet e materialeve dhe çarjet për shkak të lëkundjeve sizmike dhe veprimet dëmprurëse të produkteve kimike të grumbulluara në kundërshtim me domethënien dhe bukurinë e këtyre kishave gjatë periudhës komuniste...".
Dhe mandej, një këndvështrim i imët prej specialisteje: "Gjetiu me veshin mbështetur në trarët e drurit, të grumbulluar pa rregull dhe duke rrezikuar ruajtjen e tërheqëseve metalike ose të ikonostasit të saj me zbukurim të pasur, ne do të dëgjojmë krimbin e drurit që sulmon pa pushim këto mbetje të hedhura andej-këndej të depozituara në kohën e Enver Hoxhës".
De Durfort i rrëfen këto kujtime në librin "Sixtine des Balkans", një botim që promovohet sot pas një bashkëpunimi të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe shoqatës "Trashëgimi pa kufij", me mbështetjen e Ambasadës Franceze në Tiranë, mbi pasuritë kulturore të Voskopojës. Libri paraqet historinë e ekzistencës së Voskopojës dhe një ndërhyrje 5-vjeçare për restaurimin e veprave të artit, për ta bërë këtë vend sa më të vizitueshëm, në mënyrë që kjo pasuri e vendit tonë të paraqesë sa më mirë vlerat kulturore e historike që mbart në vete. Libri, një botim dygjuhësh, shqip dhe frëngjisht, është mundësia për të soditur mrekulli të fshehura në një fshat shqiptar diku në jug të Evropës dhe Ballkanit. Botimi "Sixtine des Balkans" është një mundësi për t'i rikthyer këtij vendi një nga stolitë e trashëgimisë arkitekturore dhe për të provuar rrënjët e vjetra evropiane të këtij kombi. Voskopoja i përket trashëgimisë kulturore shqiptare, por edhe trashëgimisë evropiane dhe botërore.
Beatrice de Durfort, thotë se vepra që sapo është botuar mundëson zbulimin e pamjeve kryesore të kishës së Shën Thanasit, ciklin e pikturave të saj dhe bën të kuptohet lidhja mes tyre e të shihen pamje tërësisht të rindërtuara dhe krejtësisht të gjetura dhe të analizuara.
Sipas Durfort, shoqata që ajo drejton synon të japë ndihmesë për ruajtjen e trashëgimisë ndërkombëtare. Në vitin 1999, SH.T. Patrick Chrismant, ambasador i Francës në Shqipëri, i kërkoi kësaj shoqate të angazhohej për të ruajtur në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës, sitin e jashtëzakonshëm e të panjohur të Voskopojës.
"Nuk është fjala për t'i bërë thirrje lexuesit për një moment të madh ankthi përballë brishtësisë së kësaj trashëgimie, por më tepër t'i propozojmë atij të bashkohet me 'Trashëgiminë pa kufij', me qëllim që ajo të përmbushë punët e saj botuese për tërësinë e kishave dhe manastireve të Voskopojës. Nuk është fjala për t'i parë imazhet e këtij libri si një dëshmi e palëvizshme dhe magjepsëse të bukurisë së këtyre monumenteve ende shumë pak të njohura. Ato duhen parë si një ftesë për të vepruar në dobi të ruajtjes së kësaj trashëgimie. Na takon ne të drejtojmë vëmendjen në këtë kryqëzim takimesh kulturore, siç është krahina e Korçës në Ballkanin jugor", - shprehet Beatrice de Durfort.
Shoqata "Trashëgimi pa kufij" punon prej 10 vitesh, së bashku me Institutin e Monumenteve të Kulturës së Shqipërisë dhe me mbështetjen e Ambasadës së Francës, për ruajtjen e monumenteve të Voskopojës, në juglindje të Shqipërisë. Në këtë fshat, dikur qyteti më i rëndësishëm i Ballkanit, ekzistojnë ende pesë kisha dhe një manastir, të mbuluara me piktura të jashtëzakonshme dhe të panjohura post-bizantine. Së fundi, Beatrice de Durfort shton: "Ne urojmë që botimi "Sixtine des Balkans" jo vetëm të magjepsë dhe të kënaqë amatorët e artit, të nxisë kërshërinë e tyre, por edhe të ngjallë prirjet për mbrojtje dhe financim të veprimtarive kulturore në dobi të veprimit të ndërmarrë nga "Trashëgimi pa kufij".

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›