E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bebiq: Kroacia ofron provojën e saj për Kosovën

Zagreb -Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në kuadër të një vizite dyditore në Kroaci, ka zhvilluar një takim me kryetarin e Saborit të Republikës së Kroacisë, zoti Luka Bebiq. Të dy kryetarët biseduan në frymë miqësie dhe në funksion të thellimit të marrëdhënieve ndërparlamentare e ndërshtetërore midis dy vendeve.

Zoti Krasniqi e njoftoi homologun e tij me zhvillimet në Kosovë, me të arriturat e Kuvendit dhe për proceset integruese të brendshme dhe evropiane të Kosovës. Ai shprehu nevojën e thellimit të marrëdhënieve të mira midis dy parlamenteve dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat. Kryetari Krasniqi falënderoi shtetin kroat për mbështetjen parimore që i ka bërë Kosovës në procesin e pavarësimit dhe të njohjes së saj ndërkombëtare. Me këtë rast kryetari Krasniqi i uroi Kroacisë hyrjen në NATO dhe sukses në integrimin e saj evropian.

Zoti Bebiq, shprehu admirimin e tij për të arriturat e Kosovës, duke i uruar asaj përparim ekonomik dhe integrim të shpejtë evropian. Kroacia do të vërë në dispozicion gjithë përvojën e saj integruese dhe do ta ndihmojë Kosovën në këtë proces. Kroacia, tha zoti Bebiq, dëshiron të luajë rolin ndërlidhës midis BE dhe vendeve të Evropës Juglindore.

Të dy kryetarët u pajtuan që të përgatitet një memorandum bashkëpunimi midis dy parlamenteve dhe të formohen grupe parlamentare gjegjëse të miqësisë. Kryetari Krasniqi e ftoi kryetarin Bebiq për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, të cilën ai e pranoi me kënaqësi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›