Beçaj- Cannon: Drejtësia, jo në nivelet e duhura
Gjatë një takimi me ambasadorin e Britanisë së Madhe, Nicholas Cannon, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj tha se, besimi i publikut tek drejtësia nuk është në nivelet e dëshiruara pasi cilësia e dhënies së drejtësisë dhe autoriteti i gjykatave është ende i dobët. Sipas saj, infrastruktura e gjykatave është e pamjaftueshme, vonesat në gjykime dhe endjet e qytetarëve nëpër dyert e gjykatës janë fenomene të përditshme që mbartin strese e pakënaqësi.
Për të evituar problematika të tilla, duhet mbështetja e dy pushteteve të tjera dhe ndikimi i politikbërësve, bashkëpunimi dhe kontributi i gjerë i të gjithë elementëve të shoqërisë civile dhe aktorëve të sistemit gjyqësor. Ajo që është më kryesorja është se gjyqtarët shqiptar përballen me pengesa mjaft serioze në krahasim me vende të zhvilluara të cilat përjetojnë një histori të gjatë shumëvjeçare të një gjyqësori të pavarur dhe të lirë nga kontrolli i legjislativit dhe ekzekutivit.- tha ajo.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve në fushën e drejtësisë, ndërsa ambasadori britanik Cannon tha se, mbështetja në këtë është një nga prioritetet thelbësore të misionit diplomatik britanik në Shqipëri
Ambasadori siguroi zonjën Beçaj se, nuk do të kursejë ndihmën dhe influencën e tij në zgjidhjen e problemeve, me anë të gjetjes së rrugëve dhe mjeteve sa më të përshtatshme në ndihmë të të gjithë sistemit gjyqësor.