E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi, Serbisë: Nuk lejojmë cënimin e territorit

Hashim Thaçi për VOA-n

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i ka drejtuar një mesazh qeverisë në Beograd se nuk do të lejohet cenimi i tërësisë territoriale të Kosovës.

Mesazhi politik i kryeministrit është adresuar gjatë fjalës së tij hyrëse në hapje të mbledhjes së qeverisë pas disa incidenteve të fundit, siç ishte arrestimi i dy policëve kufitar të Kosovës nga xhandarmëria serbe në Mërdarë, paralajmërimeve për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe incidenteve të shtuara në veri të Mitrovicës.

Thaçi tha se integriteti i Kosovës do të mbrohet me të gjitha mjetet kushtetuese e ligjore.

Kushdo që pretendon qoftë edhe një centimetër të cenojë integritetin territorial të Republikës së Kosovës, Policia e Kosovës e ka mandatin dhe e ka besimin e plotë të përdorë gjithë autoritetin kushtetues dhe ligjor, qoftë edhe përballë xhandarmërisë serbe, ka adresuar mesazhin e tij Thaçi.

Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës kanë ngritur sërish edhe tensionet e brendshme politike.

Ndërsa qeveria bën thirrje për maturi dhe veprime të koordinuara, një pjesë e opozitës kërkon masa urgjente, përfshi edhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në atë pjesë.(rel)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›