E Diel, 1 Nëntor 2026

Beçaj-Cannon: Pavarësia e gjyqësorit, kusht i domosdoshëm

Kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj ka deklaruar se është kusht i domosdoshëm ruajtja e pavarësisë së gjyqësorit. Në një takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar Nicholas Cannon, Beçaj theksoi se gjyqtarët duhet të jenë të pavarur nga kolegët, miqtë dhe vetë dëshirat e tyre personale.
 

“Është kusht absolutisht i domosdoshëm në një shtet demokratik, ruajtja e pavarësisë së gjyqësorit, si nga jashtë dhe brenda tij, që do të thotë se gjyqësori duhet të jetë i ndarë si nga degët legjislative dhe ekzekutive të qeverisjes, partitë politike, palët në proçes e kushdo që cënon autonominë e tij, gjithashtu gjyqtarët duhet të jenë të pavarur nga kolegët, miqtë dhe vetë dëshirat e tyre personale” ka theksuar Beçaj.
 

Gjithashtu Beçaj theksoi se besimi i publikut tek drejtësia nuk është në nivelit e dëshiruara pasi cilësia e dhënies së drejtësisë dhe autoriteti i gjykatave është ende i dobët. "Infrastruktura e gjykatave është e pamjaftueshme, vonesat në gjykime dhe endjet e qytetarëve nëpër dyert e gjykatës janë fenomene të përditshme që mbartin strese e pakënaqësi. Për të evituar problematika të tilla, duhet mbështetja e dy pushteteve të tjera dhe ndikimi i politikbërësve, bashkëpunimi dhe kontributi i gjerë i të gjithë elementëve të shoqërisë civile dhe aktorëve të sistemit gjyqësor” ka shtuar ajo.
 

Sipas saj gjyqtarët shqiptar përballen me pengesa mjaft serioze në krahasim me vende të zhvilluara të cilat përjetojnë një histori të gjatë shumëvjeçare të një gjyqësori të pavarur dhe të lirë nga kontrolli i legjislativit dhe ekzekutivit.
 

Nga ana e tij ambasadori Cannon theksoi se konsolidimi i marrëdhënieve shumë të mira të bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e drejtësisë është një nga prioritetet thelbësore të misionit diplomatik britanik në Shqipëri. “Raportet e krijuara deri tani mes dy vendeve, janë mjaft të dobishme për Shqipërinë në kuadër të përafrimit të saj me strukturat europiane, por edhe për çuarjen përpara të hapave që po hedh Shqipëria në drejtim të përmirësimit të legjislacionit mbi drejtësinë” shtoi ai.
 

Ambasadori Cannon OBE, ka mbështetur dhe vlerësuar Kryetaren e Gjykatës së Lartë në ngritjen e të gjithë problematikave me të cilat përballet sot drejtësia shqiptare, duke mos kursyer ndihmën dhe influencën e tij në zgjidhjen dhe e këtyre problemeve, me anë të gjetjes së rrugëve dhe mjeteve sa më të përshtatshme në ndihmë të të gjithë sistemit gjyqësor.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›