E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faza 2, studimet në Itali, dokumentet dhe afatet për vizë

Procedurat dhe legalizimet e nevojshme për ata që do të ndjekin studimet andej detit, tarifat e përcaktuara dhe udhëzimet

Të gjithë maturantët që do të ndjekin studimet në universitetet në Itali, duhet të plotësojnë kërkesat e vendosura nga sektorët e arsimit, pranë ambasadës italiane. Dje, në një njoftim zyrtar, ambasada ka sqaruar në detaje procedurat që duhet të ndjekin të gjithë të interesuarit për fazat pasardhëse. Kështu, sipas udhëzimit të konsullatës italiane në Tiranë, duke nisur nga data 12 korrik 2010 deri në datën e pakthyeshme të 30 korrikut 2010 studentët që kanë paraqitur kërkesën për regjistrim pranë ambasadës italiane në Tiranë mund t’i drejtohen agjencisë më të afërt të “Albanian Courier - Union Net”, e cila do të realizojë dërgimin në ambasadën italiane në Tiranë të dokumentacionit shkollor, për lëshimin e vizës për studim dhe pasaportën.

Verifikimi

Në vijim të verifikimit për plotësimin e kritereve të parashikuara nga normativa dhe të konfirmimit nga ana e universiteteve italiane, ambasada italiane do të lëshojë vizat hyrëse për studim. Në bazë të normativës në fuqi, vizat do të jenë të vlefshme nga data 24 gusht 2010 deri më 31 janar 2011. Pasaporta do t’u kthehet të interesuarve me anë të korrierit postar “Albanian Courier”, bashkë me dokumentacionin që studentët duhet të paraqesin në origjinal pranë universitetit në Itali, titujt e studimit të legalizuar, diplomën CELI 3.

Për ridorëzimin e dokumenteve, studentët duhet t’i paguajnë korrierit një tarifë prej 198 lekësh, përfshirë TVSH, nëse banojnë në Tiranë, 300 lekë, nëse banojnë në qytete të tjera.
Procesi i ridorëzimit të pasaportës dhe dokumenteve të legalizuar do të kryhet nga data 18 deri më 21 gusht 2010. Nuk është e nevojshme që studentët të paraqiten personalisht në ambasadë.
Për të ditur zyrën e korrierit “Albanian Courier – Union Net” më të afërt me vendbanimin tuaj, mund të kontaktoni në numrat e telefonit 04 2357976 dhe 04 2357977 ose me e-mail albaniancourier@albaniancourier.al.

Kujtesa

“Ju kujtojmë se të gjithë modulet e nevojshme shpërndahen falas pranë ambasadës italiane, pranë zyrave të ‘Albanian Courier – Union Net’ dhe mund të shkarkohen nga faqja e internetit www.ambtirana.esteri.it”, sqaron zyrtarisht ambasada italiane.

Sipas njoftimit institucional, ekspertët e arsimit kanë theksuar se studentët duhet të paraqesin në të njëjtin zarf edhe titujt përfundimtarë të studimit, diplomë mature dhe certifikatën e maturës shtetërore apo diplomën universitare me listën e notave dhe programin. Titujt e studimit duhet të jenë të përkthyer në italisht, të vërtetuara nga noteri dhe të legalizuara pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare. Sakaq studentët nën 18 vjeç, përveç dokumentacionit të kërkuar, bashkë me kërkesën për vizë duhet të bashkëngjisin edhe një certifikatë familjare, të përkthyer dhe të legalizuar. Po ashtu kërkohet si pjesë e procedurës, deklarata noteriale për verifikimin e aprovimit të prindërve mbi qëndrimin në Itali, për studim të fëmijës. Kjo deklaratë duhet të jetë e përkthyer dhe legalizuar.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›