E Shtunë, 31 Tetor 2026

Becaj Politika te marre hapa konkrete per reformat ne Gjykaten e Larte

U zhvillua sot, përpara trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë, ceremonia e betimit të gjyqtarëve të rinj, Edmon Islamaj dhe Shkëlzen Selimi.

Anëtarët më të rinj të Gjykatës së Lartë, u betuan solemnisht se do t’i qëndrojnë kurdoherë besnik Kushtetutës, ligjeve në fuqi duke respektuar rregullat e etikës profesionale.

Gjatë fjalës së mbajtur me rastin e kësaj ceremonie solemne në ambientet e Gjykatës së Lartë, kryetarja e kësaj gjykate Shpresa Beçaj, theksoi ndër të tjera se: “Krahas kënaqësisë, ne ndjehemi disi të çliruar, pasi kjo gjykatë për një kohë shumë të gjatë është lënë me vende vakante (4 e më pas 3, dhe tani 1 vend vakant), që e konsideroj një situatë të rëndë e aspak normale, pasi në këtë gjykatë gjykohen çështje të rëndësishme, të vështira, delikate, që për qytetaret kanë rëndësi jetike.

Në qoftë se vendet vakante do të ishin plotësuar në kohën e duhur, nga numri total i çështjeve të mbetura për shqyrtim deri tani do të ishin rreth 2500 çështje më pak.

Duke vlerësuar maksimalisht rolin e Gjykatës së Lartë, si shkalla më e lartë e dhënies së drejtësisë, kërkoj angazhimin e Presidentit të Republikës e dy pushteteve të tjera për të mos lejuar të përsëriten raste të tilla me mbarimin e mandateve të gjyqtarëve të kësaj gjykate.

“Gjithashtu, - ka vazhduar më tej Beçaj, - vlerësoj të kërkoj nga politika shqiptare e deputetët e Kuvendit të Shqipërisë ndërmarrjen e hapave konkretë për çuarjen përpara të reformave në Gjykatën e Lartë si një proçes kompleks që kërkon angazhimin e të gjithë pushteteve për të propozuar, shqyrtuar dhe miratuar një kuadër ligjor që i përgjigjet kërkesave për një proçes gjyqësor të drejtë, të paanshëm e që realizohet brenda afateve të arsyeshme”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›